Braçe: Iki nga Kryesia e PS, vetëm nga Berati jo
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka kërcënuar dje se do të japë dorëheqjen nga posti që ka nëse nuk tërhiqet mbrapsht vendimi që e largon atë nga Berati, vendi ku është zgjedhur deputet, dhe e dërgon në Korçë. Kjo lëvizje u miratua më 22 janar nga Kryesia e PS-së në kuadrin e një lëvizjeje të madhe të të deleguarve të partisë në rrethe. Në vend të Braçes, në Berat është dërguar Namik Dokle. I pyetur dje nga gazetarët Braçe tha: Qëndron në fuqi ajo që kam thënë, që për asnjë arsye, për asnjë moment, për asnjë ofiq, nuk do të lëviz nga plotësimi i mandatit në qarkun e Beratit, dhe më ngushtë në rrethin e Beratit. Pra, përpara ofiqit të anëtarit të kryesisë, natyrisht që kam detyrim përkundrejt. Njerëzve që kam zgjedhur këtu dhe natyrisht edhe ndaj socialistëve që kam punuar dhe kam ndarë të gjithë aktivitetin tim politik dhe elektoral. Nuk lëviz nga Berati për asnjë arsye. Braçe ka insistuar se është zgjedhur nga banorët e Beratit dhe nuk mund ti braktisë ata. Ndërkohë Braçe foli nga Berati edhe për çështjen e bursave që i jepen studentëve të qytetit duke thënë se po jepen bazuar në kritere partiake. Bursat në Berat jepen sipas bindjeve partiake nga DAR. DAR duhet të mbajë përgjegjësi për bursat që nuk i jep atyre që e meritojnë,- tha Braçe.
Ky qëndrim i Braçes nuk është mirëpritur nga dega lokale e PS-së, e cila është shprehur se askush nuk është i pazëvendësueshëm. Në PS, asnjë nuk është i pazëvendësueshëm dhe askush nuk duhet tu trembet marrjes së përgjegjësive që çojnë në përmirësimin e punës së partisë. Ne vlerësojmë dhe e mirëpresim anëtarin e kryesisë së PSSH-së, shokun Namik Dokle, për të punuar së bashku njohjen e programit të PSSH-së dhe në forcimin e strukturave të partisë ë bazë,- tha sekretari i PS-së së bashkisë Berat, Visho Bizhaku.
Lëvizjet e kryesisë së PS-së
Edi Rama ishte në Tiranë, mbetet në Tiranë
Erion Braçe ishte në Berat, shkon në Korçë (Devoll)
Ben Blushi ishte në Korçë, shkon në Elbasan (Librazhd)
Ditmir Bushati ishte në Tiranë, shkon në Shkodër (Pukë)
Fatmir Xhafaj ishte në Tiranë, shkon në Vlorë
Bashkim Fino ishte në Fier, shkon në Fier
Namik Dokle ishte në Tiranë, shkon në Berat
Mimi Kodheli ishte në Pogradec, shkon në Shkodër
Arben Malaj ishte në Vlorë, shkon në Kukës
Besnik Baraj ishte në Tiranë, shkon në Kukës
Arben Isaraj ishte në Vlorë, shkon në Gjirokastër
Arta Dade ishte në Gjirokastër, shkon në Tiranë
Eglantina Gjermeni ishte në Tiranë, shkon në Durrës (Krujë)
Lindita Nikolla ishte në Tiranë, shkon në Lezhë
Pandeli Majko ishte në Korçë (Ersekë), shkon në Dibër
Saimir Tahiri ishte në Tiranë, mbetet në Tiranë
Shkëlqim Cani anërat i ri në Dibër
Valentina Leskaj ishte në Elbasan, shkon në Vlorë
Vangjush Dako anëtar i ri në Durrës
Ilir Beqaj ishte në Shkodër, shkon në Korçë (Ersekë)
Gramoz Ruçi i pakufizuar
Blendi Klosi i pakufizuar
Erion Veliaj i pakufizuar
Çdo votë që do marrin partitë në zgjedhje do konvertohet në para
Si gjithmonë, kur në mbledhje janë të pranishëm ndërkombëtarët, forcat politike shqiptare bëhen shumë konsensuale dhe pranojnë propozimet e njëra tjetrës. Kjo ndodhi edhe dje kur grupi i punës për reformën zgjedhore miratoi me konsensus ndryshimet në Kodin Elektoral. Falë prezencës së dy ekspertëve të ODIHR-it, burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se mbledhja nuk ka pasur debate dhe se palët kanë rënë dakord më parë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Dy palët kanë gjetur edhe konsensusin e partive të vogla për ndryshimin e skemës së financimit të partive politike nga buxheti i shtetit. Tashmë financimi do të bazohet jo më sipas mandateve në Kuvend, por sipas numrit të përgjithshëm të votave që subjektet politike do të marrin në rang kombëtar në zgjedhjet e radhës.
Kjo skemë favorizon ndjeshëm partitë e vogla, të cilat do të duhet të marrin rreth dhjetë mijë vota në rang kombëtar dhe do të përfitojnë nga fondet publike. Nëse në ligjin aktual thuhej se fonde publike për fushatë kishin të drejtë të përfitonin partitë që kishin marrë jo më pak se dy vende në parlament, tashmë fonde mund të marrë cilado parti që kalon pragun 0.5 për qind të votave. KQZ-ja brenda pesë ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar proporcional në shkallë vendi përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme. Duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se 0.5% të votave në shkallë vendi”, – thuhet në draftin e miratuar dje nga grupi për reformën elektorale.
Ashtu si në Kodin aktual, grupi për reformën kanë rëndë dakord që të ruajnë sanksionet për partitë politike të cilat nuk arrijnë që të marrin votat e mjaftueshme. Në rast se shuma e përfituar paradhënie për financimin e fushatës është me e madhe sesa ajo e llogaritur në bazë vote, partitë politike do të duhet të lekët mbrapsht. Për të garantuar kthimin e lekëve, grupi për reformën ka vendosur që subjektet politike të cilat nuk kthejnë fondet, do humbasin të drejtën për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit për pesë vjet, si dhe nuk mund të regjistrohet në zgjedhjen e ardhshme.
Ndryshimet përcaktojnë se partitë kanë mundësi që të marrin edhe kredi për financimin e fushatës zgjedhore, kredi e cila nuk duhet të kalojë shumën që ajo do të përfitojë nga votat e marra në zgjedhjet e fundit. Grupi i punës për Reformën miratoi dje edhe dy dispozita të veçanta që lidhen me fushatën zgjedhore. Palët kanë vendosur që të përcaktojnë në ligj ndalimin e rekrutimit apo pushimit nga puna të nëpunësve publikë gjatë fushatës zgjedhore, ndalimin e përdorimit të administratës shtetërore dhe nxënësve të shkollave në fushata elektorale. Nisur nga problematikat e shfaqura në zgjedhjet e mëparshme, demokratët dhe socialistët ranë dje dakord që të ndalojnë nxjerrjen e detyruar në fushatë zgjedhore të administratës publike, brenda orarit zyrtar, si dhe përdorimi i detyruar i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda orarit mësimor për këtë qëllim. “Gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi ose lëvizja në detyrë në institucionet publike”, thuhet në dispozitat e miratuara nga grupi i punës.
Axhenda e ardhshme
Në ditët e ardhshme grupi i punës për reformën zgjedhore do të punojë për përfundimin e shtatë pikave të tjera të axhendës për të cilën mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord. Regjistrimi i zgjedhësve, administrata zgjedhore, por edhe numërimi dhe shpallja e rezultatit zgjedhor janë pikat për të cilat palët do të diskutojnë bashkë me ekspertët e ODIHR-it për të mbyllur brenda marsit punën me draftin e ri dhe për miratimin më pas në parlament të ndryshimeve. Nisur nga problematika e zgjedhjeve të fundit që u karakterizuan nga një proces tejet i gjatë numërimi dhe ankimimesh, ekspertët e dy palëve priten që të rregullojnë këtë detaj duke qartësuar në Kod hapat proceduralë.
10 pikat e axhendës miratuar në nëntor
1. Regjistrimi i subjekteve politike dhe kandidatëve
2. Fushata zgjedhore
3. Media gjatë fushatës
4. Financimi
5. Regjistrimi i zgjedhësve
6. Procedurat e votimit
7. Numërimi i votave
8. Nxjerrja dhe shpallja e rezultatit
9. Administrata zgjedhore
10. Procesi i ankimimit
Deputetët e PS, letër Berishës për situatën në Bulqizë
