Nishani: Kryeministria u pushtua sepse protestuesit hynë brenda portës
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, duke folur për ABC News, tha se më 21 janar në asnjë rast nuk është vepruar jashtë legjislacionit të këtij vendi. Ai ka cituar nenin 25 të ligjit 8869 të Gardës së Republikës duke thënë se arma përdoret në rast se sulmohen personalitetet, rojet dhe objektet në ruajtje. Që në momentin që objekti është goditur, garda ka bërë betimin për të ruajtur objektin. Kryeministria, presidenca dhe parlamenti ruhen nga garda. Kur protestuesit hynë brenda portës, quhet pushtim objekti, tha Nishani. Në rast se garda nuk respekton ligjin në këtë rast, përgjigjen para ligjit, vijoi Nishani. I pyetur për faktin se personat janë vrarë jashtë objektit, Nishani tha se nuk mund të flasë për këtë pasi është një çështje nën hetim.
Në përgjigje të deklaratave të kryeprokurores se policia nuk gjeti provë për organizimin e dhunës gjatë protestës, Nishani tha se nuk do bëjë komente apo analiza, sikundër nuk do hedhë poshtë gjë. Provat e materialet e referuara nga policia, në respekt të detyrimit ligjor që secili prej nesh ka të ruajë sekretin hetimor, nuk do i lejoja vetes të citoja prova. Dosja është në hetim. Jam i bindur me aq informacione sa kam, janë të mjaftueshme dhe ka hapësira ende të mëdha për pasurimin e dosjes me prova, ndonëse është humbur shumë kohë, tha Nishani. Ministri i Brendshëm tha se ka qenë një sulm me tendencë të qartë për të hyrë brenda në godinë kur kryeministri dhe disa anëtarë të qeverisë ishin brenda në orarin e punës. Policia është e gatshme për të vijuar hetimin. Pamjet kanë qenë tronditëse, demonstratë me elementë kriminalë me armë në brez, shishe molotov, godisnin policët, tha Nishani.