Rama mbledh të urtët: Ky këshill një bërthamë influencë për partinë
Këshilli politik i PS-së u mblodh për herë të parë nga kryesocialisti Edi Rama. Ish-presidenti Meidani i pranishëm, mungojnë Bufi dhe Pëllumbi
Protagonistë të rëndësishëm në kohë të ndryshme në historinë e PS-së janë ftuar në një tryezë diskutimi nga kryetari i kësaj partie Edi Rama. I ashtuquajturi këshilli i të urtëve është në fakt struktura më e re e ngritur nga Asambleja e PS-së dhe funksionon si Këshilli politik pranë kryetarit të partisë. Ata u mblodhën të premten për herë të parë për të diskutuar mbi programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare. Ajo që ra në sy ishte ulja në krah të Ramës e ish-presidentit Rexhep Meidani, i cili kohët e fundit ka qenë më tepër se sa kritik ndaj PS-së dhe Ramës në media. Megjithëse pozicioni i tij në raport me PS-në dhe lëvizjet që ndërmerr ajo ka qenë i ndryshëm në kohë të ndryshme, ish/presidenti ka pranuar të jetë pjesë e kësaj tryezë diskutimi, ku mungonin vetëm Ylli Bufi dhe Servet Pëllumbi. Siç u tha nga PS të dy mungesat kanë qenë për arsye private. Përveç Meidanit në takimin me Ramën ishin Sabit Brokaj, Pandeli Majko, Bashkim Zeneli,Maqo Lakrori, Gramoz Ruçi, Arta Dade, Namik Dokle, Luan Hajdaraga dhe Ethem Ruka. Rama ishte iniciatori i ngritjes së këtij këshilli duke thënë se besonte në eksperiencën e tyre. Mendohet se kryesocialisti dhe Keshilli i te Urteve do te mund te takohen te pakten 1 here ne muaj per te diskutuar te gjitha çeshtjet me te rendesishme qe do te jene ne fokus te Partise Socialiste.
Në fjalën e tij në nisje të takimit Rama ndër të tjera tha se efikasiteti dhe produktiviteti i kësaj tryeze është i lidhur drejtpërdrejtë edhe me kontributin e secilit por unë nga ana ime, jam i bindur që kjo tryezë është një vlerë e shtuar në gjithë përpjekjen për ti dhënë familjes tonë politike sa më shumë kontribute në aspektin e diskutimit mbi strategjinë, mbi ecurinë hap pas hapi të ballafaqimit politik dhe sigurisht edhe mbi kohezionin që duhet krijuar medoemos midis gjithë faktorëve e aktorëve brenda kësaj familje të madhe. Ky nuk do të jetë një forum honorifik, por një bërthamë e rëndësishme dhe influente në vendimmarrjen e Partisë Socialiste. Kjo do të jetë një tryezë e hapur për të pasur prezent edhe protagonistë të tjerë të jetës dhe të punës së partisë sipas rasteve dhe sipas nevojave që mund të nxjerrë periudha në vijim, duke e kthyer në një tryezë diskutimi për të marrë të gjitha sugjerimet, idetë, këshillat në raport me çështje apo momente të caktuara të jetës politike.
Më tej ai u parashtroi figurave të vjetra të partisë arsyen pse i kishte ftuar duke u folur për programin e partisë ndaj të cilit pret sugjerime nga të urtët. Ne kemi filluar një proces të rëndësishëm me programin e ri të Partisë Socialiste. Kemi vendosur në Asamblenë e fundit që të çelim një rrugë të Programit për të komunikuar intensivisht në këtë fazë tezat e tij dhe për të marrë sa më shumë mbrapsht nga njerëzit, nga komunitetet, nga grupet e interesit reagime, vërejtje, sugjerime dhe për ti përfshirë ata në mënyrë që ta bëjmë programin realist, të plotë dhe sa më pranë tyre, duke e kthyer atë në një pronësi të sa më shumë njerëzve. Edhe në këtë aspekt kjo tryezë do të përfshihet qoftë për të marrë informacion lidhur me ecurinë e punës me Programin, qoftë për të dhënë ide dhe sugjerime për Programin”, tha Rama. Siç njofton PS, Këshilli Politik do të mblidhet një herë në muaj dhe është vendosur unanimisht që nga mbledhjet e tij nuk do të ketë njoftime për shtypin.