E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe-Imamit: Ku shkojnë paratë e diferencave në çmim

Partia Socialiste ka vijuar sërish me akuzat ndaj ministrisë së mbrojtjes për afera korruptive në lidhje me shitjen e armëve ndërsa ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit Arben Imami.
 

Deputeti i PS-së Erjon Braçe ka publikuar sot dokumenta të tjera të cilat sipas tij vërtetojnë se si ministria favorizon kompanitë serbe për shitjen e armëve.
 

“Dje dhe sot ministria e mbrojtjes nuk iu përgjigj për marrëdhëniet mes ministrisë dhe tregëtarit serb të armëve Sllobodan Tesiç. Cila është arsye që Arben Imami hesht kur ka pohuar vetë se partnerët në tregëtimin e armëve duhet të mos jenë në listën e zezë të OKB-së” tha Braçe.
 

Braçe gjithashtu ka akuzuar ministrin Imami për afera në çmimet e shitjes së municioneve ku sipas tij amë të njëjta janë shitur me çmime të ndryshme.

“Unë i kërkoj Arben Imamit të përgjigjet se ku kanë përfunduar paratë e diferencave në çmim, kujt i shpërndahen dhe kujt i jepen nën tavolinë” tha Braçe.

Sipas tij, procesi i demontimit të municioneve është më i leverdishëm dhe fitimprurës se shitja e armatimit, për më tepër me kontrata dhe zona problematike me persona të listuar në të zezë.

“Imamit ia kanë shpjeguar se metali i predhave dhe baruti kushton shumë më shtrenjtë kur demontohet dhe shitet se shitja e predhave me çmime qesharake”- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›