E Diel, 1 Nëntor 2026

Brace Jemi kercenuar nga mafiozet qe po perdor Berisha

Nënkryetari i grupit të PS-së: Kryeministri, pakt me killera

Politika shqiptare përfton një dimension policor në komunikimin mes palëve. Akuzat dhe kundërakuzat duket se kanë dalë nga podiumi i zakonshëm i partive apo edhe i foltores së Parlamentit, për të prodhuar lëvizje informale dhe praktika që emetojnë praninë e krimit në prapavijën e afërt të subjekteve politike. Të paktën ky është pretendimi i radhës që vjen nga Partia Socialiste, e cila duket se edhe takimin e para dy ditëve në Presidencë e ka kërkuar pikërisht për të informuar kreun e shtetit, Bamir Topi, rreth shantazheve dhe kërcënimeve të hapura që kreu socialist, Edi Rama, dhe nënkryetari i grupit parlamentar të saj, Erion Braçe, thuhet se kanë marrë së fundmi.

Fakti

Një letër, brenda së cilës ndodhej një CD, i është adresuar deputetit Erion Braçe para disa ditësh, ku, sipas këtij të fundit, akuzohej ai dhe Rama për vrasje dhe trafik dosje. Si porositës i dërgesës është shfaqur personi i mirënjohur Daut Kadriovski, i dënuar për trafik droge. “Të hënën, pas një mbledhjeje pune personeli, më ka rënë në dorë një zarf i dorëzuar nga Posta e Tiranës. Brenda tij është një kartolinë dhe brenda saj është një CD, ku nga ana e pasme shkruhet: ‘Ke 24 orë kohë, ndryshe të gjitha kanalet televizive do ta publikojnë’, dhe në fund ka emrin e shtetasit nga Maqedonia, Daut Kadriovski”, ka deklaruar dje Braçe. Ai ka vijuar më tej me sqarimin e përgjithshëm të kësaj letre, e cila me gjasë mund të acarojë në nivel cilësisht të ri marrëdhënie politike në Shqipëri. Por me më shumë rëndësi është përfshirja në CD e njerëzve me pushtet edhe në Kosovë, ç’ka e homologon akuzën e mbërritur në adresën e PS-së me ato që aktualisht po mbahen në axhendë nga Serbia dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. “Në përmbajtje të kësaj CD-je flitet për mua dhe kreun e PS-së, Edi Rama, që nga personi i kërkuar nga më shumë se 13 shtete, akuzohemi se jemi përfshirë në përdorim dhe trafik droge dhe në vrasjen e dy shtetasve, njërin në Tiranë dhe tjetri që është hedhur nga kati i dytë në një ndërtesë në Maqedoni. Në këto akuza përfshihen edhe krerë të tjerë të politikës, si Hashim Thaçi apo Jakup Krasniqi”, ka nënvizuar deputeti socialist. Nëse opozita shqiptare rimerr në vijim këtë çështje si kauzë të vetën në debatin politik, është e pritshme që ajo të konstituojë një çështje të re penale, si për politikën shqiptare ashtu edhe për përfaqësuesit kosovarë.

Akuzat, PS: Berisha nuk qëndron dot më

E gjendur përballë këtij fakti që risjell një klimë rruge të viteve 1996-1997, PS-ja dhe dy drejtuesit e saj kanë formuluar një qëndrim politik, prej nga ku akuza shkon në adresë të Kryeministrit aktual të Shqipërisë, Sali Berisha. Pikënisje për këtë është bërë jo vetëm acarimi i krijuar nga akuzat e forta të PS-së për korrupsionin e ministrave të qeverisë, por edhe përpjekjet diversioniste të Berishës në raport me kauzën e hapur të transparencës. Si referencë më e afërt analize ka shërbyer edhe një fjalim i Kryeministrit në seancën plenare të 25 nëntorit, ku sipas traditës, ai ka rikthyer akuza të vjetra për socialistët, që shfaqen si “pika binjake me përmbajtjen e CD”. “Berisha ka njehsuar struktura të veçanta të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit kundër përfaqësuesve të opozitës... Të njohur me këto fakte gjykuam se po kalojmë nga një fazë e shpifjeve politike, në një fazë të re, ku Berisha po përdor dhe zëvendëson krimin e organizuar jo për akuza banale, por për akuza të rreme penale në vend dhe rajon. Kjo do të thotë se Berisha po prek fundin dhe po bëhet i rrezikshëm për çdo shqiptar që refuzon aktet korruptive të tij”, deklaroi Erion Braçe. Në vijim ai ka bërë të ditur se rruga që PS-ja do të ndjekë është ajo institucionale, kallëzimi penal, i cili vjen si përgjigje ndaj një kundërfushate të shumicës për të paralizuar akuzat e reja që janë paralajmëruar nga opozita. “Pas këtyre kontakteve do të bëjmë kallëzim penal për të gjithë këtë histori, që kulmon me angazhimin serioz dhe konkret të politikës kundër krimit të organizuar. Qëllimi i kësaj është që opozita të ndërpresë fushatën kundër korrupsionit. Berisha është në dijeni të publikimeve shumë të rënda dhe serioze që nuk e mbajnë më dot në këmbë qeverinë e tij”, deklaroi deputeti socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›