Bare Sa te jem gjalle sma merr njeri lagunen e Karavastase
Aldo Bare është shfaqur sërish dje nervoz në kafazin e hekurt të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku për dhjetëra minuta ka dëgjuar sesi ka ndërruar pronar laguna e Karavastasë pas arrestimit të tij. Durimi i ka sosur në momentin që dëshmitari ka pohuar se kjo pronë ka ndërruar pronar dhe menjëherë ka reaguar, duke pohuar se “s’ka burrë nëne të ma marrë lagunën”. Më pas ka vijuar me tone të larta, duke shqiptuar se askush nuk mund t’ia marrë pronën, e cila është sekuestruar me vendim gjykate disa vite më parë. “Nuk do të lindin burra sa të jem unë gjallë, për të më marrë lagunën e Karavastasë”, ka vijuar Bare menjëherë sapo ka përfunduar dëshminë noteri që ka firmosur kontratën e shitblerjes së kësaj ndërmarrje mes aksionerëve të saj dhe Aldo Bares.
Seanca e djeshme ka vijuar me pyetjen e dëshmitarëve. Prokurorët Gentian Trenova dhe Besnik Muçi kanë thirrur për dëshmi shtetasin Adrian Korraqe. Ky noter ka përpiluar një sërë aktesh dhe ish-pronarët nuk kanë pasur kërcënime në momentin që kanë firmosur për shitjen e kësaj lagune. Sipas tij, këto akte janë firmosur si në zyrën e tij, ashtu edhe në ndërmarrje dhe kalimi i pronësisë është bërë në mënyrë ligjore.
Pas kësaj ka ardhur edhe fjala e Bares, që askush nuk do t’ia marrë lagunën. Ndërkohë që laguna e Karavastasë është sekuestruar nga prokuroria më 2007-n, si pronë e Aldo Bares, proces gjatë të cilit janë sekuestruar të gjitha pronat e tij, pas një kërkese të Prokurorisë së Përgjithshme.
Kjo deklaratë është e dyta pas asaj të disa seancave më parë. Me tone të ashpra dhe me një fjalor kërcënues, kreu i Bandës së Lushnjës ka deklaruar se askush nuk do t’i gëzojë ish-pronat e tij të konfiskuara nga drejtësia shqiptare. “Sa të jem unë gjallë nuk do ta gëzojë askush lagunën e Karavastasë, do t’i nxjerr ujin e zi edhe këtu ku jam”, tha Bare disa javë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku po gjykohet për një sërë vrasjesh në qytetin e Lushnjës. I pandehuri i është drejtuar me kërcënime përfundimit të dëshmisë së Luan Hoxhës, një prej ish-pronarëve të lagunës së Karavastasë, i cili si 60 punonjësit e tjerë, firmosën nga frika shitjen e saj kundrejt shumës qesharake prej 600 mijë lekëve. Kërcënimet e Bares janë drejtuar edhe te Kryeministri Sali Berisha. “A ju vjen padroni i ri në Karavasta? Kam dëgjuar që ju vjen edhe natën e interesohet për familjen. S’ka burrë nëne të ma marrë”, ka vazhduar të kërcënojë Bare.