E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: PS të dalë nga kllapia, po sillet si humbëse, jo si e zgjedhura e njerëzve

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, reagon ndaj qëndrimit që PS po mban në këto momente ndaj rezultatit të Tiranës. Në adresën e tij në rrjetin social Facebook, Braçe, jo pa indinjatë, i kërkon lidershipit të Partisë Socialiste të ndryshojë sjellje dhe të mos sillet si humbës, por të kërkojë të drejtën në çdo rrugë, pasi, sipas tij, qytetarët e kanë votuar në shumicë. Partia Socialiste duhet të dalë nga kllapia! 1. Më 8 maj shqiptarët i dhanë dy mandate të qarta: një mandat politik, partia më e madhe e më e votuar në vend. 2. Mandat qeverisës, pasi do të qeverisë 2/3 e qytetarëve në këtë vend, shprehet Braçe në profilin e tij në rrjetin social. Duke bërë këtë analizë, nënkryetari i Grupit Parlamentar dhe anëtar i Kryesisë socialiste, bën apel për një reagim të fortë përmes institucioneve dhe jashtë tyre. Por PS po sillet si humbëse, jo si e zgjedhura e njerëzve. Partia Socialiste duhet ti përdorë këto dy mandate për ti dhënë zgjidhje problemit të demokracisë në rrugë institucionale e në rrugë jashtinstitucionale. Tani!, shprehet Braçe. Kjo deklaratë e nënkryetarit të Grupit të deputetëve ka gjetur një përkrahje të madhe nga miqtë e tij të rrjetit social, të cilët, nga ana e tyre, bëjnë dhe komente për këtë qëndrim të Partisë Socialiste. Janë mbi 32 komente që i japin përgjigje shqetësimit të Braçes e që i kërkojnë atij veprim konkret nga ana e PS-së.

PANORAMA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›