Rama: Privatizimet, shthurje e financave shqiptare
Kryetari i PS-së Edi Rama ka reaguar sot në lidhje me privatizimet e aseteve kombëtare duke e cilësuar këtë proces si shthurje të financave shqiptare.
Në një bashkëbisedim me gazetarët kreu i PS-së Rama theksoi se shthurja e ekonomisë ka hyrë në një fazë të rrezikshme të stabilitetit ndërsa shtoi se rinovimi i gjithë aseteve është bërë pothuajse me borxhe të marra dhe i bazuar në kontributin e të gjithë qytetarëve taksapagues.
“Nuk bëhet fjalë për një nevojë për rehabilitim por bëhet fjalë për një tjetër grabitje aq më tepër kur sheh relacionin e qeverisë që shoqëron një projektligj keqbërës për këtë vend. Shfaqen dy formula të ndryshme duke lënë të hapur shtegun e privatizimit dhe atë të abuzimit ”, theksoi Rama.
Sipas tij privatizimet e aseteve kombëtare nuk janë gjë tjetër veçse një grabitje ogurzesë e së ardhmes së vendit për përfitime marramendëse në kurriz të ekonomisë ndërsa shtoi se opozita nuk do ta njohë këtë proces.
“Ne nuk do të njohim si të ligjshëm asnjë proces të kësaj natyre dhe ashtu siç kemi thënë për procese të tjera të korruptuara edhe për privatizimin e aseteve kombëtare, do t`i zbrapsim dhe do ia kthejmë qytetarëve” shtoi Rama ndërsa theksoi se ekonomia shqiptare po kthehet në një bombë me sahat që së shpejti do të shpërthejë dhe do të jetë me pasojë të mëdha për vendin.
Ai gjithashtu e cilësoi si një akt kriminal në administrimin e qeverisë shitjen e 5 hidrocentraleve duke theksuar se opozita është e shqetësuar për këtë politikë shkatërruese që po ndjek qeveria në lidhje me ekonominë e vendit.