E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do marrim nobelistin Muhamed Junuz për të na ndihmuar me mikrokreditë

(E PERDITESUAR)- Shumë prej nesh e mbajnë mend ekonomistin peruan Hernando De Soto, njeriun që do zgjidhte për mrekulli çështjen e legalizimeve në Shqipëri. Pasi mori një dorë të mirë parash nga qeveria e bëri ca rekomandime seminaresh, ai e la çështjen e legalizimeve aty ku ka qenë.

Kësaj here qeveria ka vendosur që të paguajë shuma të majme për një tjetër ekonomist me famë, nobelistin nga Bangladeshi, Muhamed Junuz. Ky i fundit supozohet se do ndihmojë qeverinë në fushën e mikrokredive. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë. Ky vend ka potenciale të mëdha, por ka probleme të mëdha. Vetëm 22 përqind e këtij vendi është ultësirë bregdetare dhe fushë. I tëri është zonë kodrinore e malore. Kodrat e malet e bëjnë Shqipërinë një vend me lartësi dy herë më të madhe se mesatarja e Europës. Shqipëria nuk mund të jetë vend i zhvilluar nëse nuk zhvillon çdo skaj, çdo komunë. Zonat me potencial turistik në mal të mos taksohen. Ne do të kemi një strategji të qartë për zhvillimin e turizmit në zona malore. Ne po ndërtojmë infrastrukturën e plotë nga Çajupi në Vermosh. Por kjo është njëra anë, ana tjetër është të nxisim investimet e vendeve të huaja në këto zona. Ne kemi vendosur që të bashkëpunojmë me nobelistin e njohur të mikrokredive Muhamed Junus. Ai ka pranuar ftesën tonë dhe ne së shpejti do nisim të vendosim këtë sistem të suksesshëm, tha Berisha, që shtoi më pas se ndërsa bënte fushatë, në sytë e njerëzve lexonte dëshirën për ta bërë Shqipërinë një kopsht në mes të Europës.

Junuz nga Bangladeshi mori çmimin Nobel për projektin e tij për mikrokreditë. Por nuk ka shumë kohë që atë e kanë larguar nga detyra në bankën e tij. Ai thotë se largimi ka prapaskena politike, por një dokumentar danez ka zbuluar se skema e tij ka qenë një flluskë e rrezikshme, e mbushur me mashtrime, falsifikime, gjobëvënie, moskthim parash, shtim varfërie, praktika agresive të vjeljes së kësteve, interesa të larta, shitje produktesh me detyrim tek kredimarrësit, etj. Po ashtu shumat e ofruara janë qesharake për Shqipërinë, por jo për nivelin e Bangladeshit. Kredia e parë që ka dhënë Junuz ka qenë 27 dollarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›