Berisha mbërrin në Tiranë: Ju rrëfej takimin me Nanon

SHKODËR- Odiseja e kryeministrit Sali Berisha në kërkim të kthimit në shtëpi ka përfunduar dje në orën 21 e 30 minuta kur ka hyrë në pikën kufitare të Murriqanit. I nisur të martën pasdite për në Bruksel, Berisha ka mbërritur dje në Shqipëri pasi ka kaluar me tren e makinë gjysmën e Europës. Sapo ka shkelur në territorin shqiptar ai ka dhënë lajmin e mirë të dorëzimit të pyetësorit të BE-së në Bruksel, dhe atë të takimit me Fatos Nanon.
Ai e ka cilësuar takimin me këtë të fundit si shefin historik të së majtës shqiptare, i cili i ka dhënë shumë sinjale pozitive. Në këtë mënyrë, Berisha ka mohuar edhe vetë ekzistencën e opozitës dhe strukturave të saj, duke i zhvendosur ato tek Fatos Nano.
Në pamundësi për të vendosur urat e komunikimit politik me kreun e PS-së, Edi Rama, për shkak të kundërshtive mbi transparencën e procesit zgjedhor, ka dashur që rolin dhe statusin e përfaqësimit politik t'ia atribuojë ish-kreut të PS-së. Sot pritet që vetë Berisha të zbardhë detajet e takimit me Nanon dhe mundësinë e lidhjes së një aleance me të.
Odiseja kryeministrore
Sapo kryeministri shqiptar mbërriti në Bruksel për të dorëzuar përgjigjet e pyetësorit të BE-së për vizat, në Europë u shpërnda lajmi i rizgjimit të një vullkani në Islandë. Qiejt europianë u mbushën nga një re e dendur e bashkuar me hi vullkanik dhe një nga një vendet e Europës vendosën mbylljen e aeroporteve të tyre. Si për të sfiduar renë, Berisha u nis të premten nga Brukseli për në Gjermani ku aeroportet ishin ende të hapura. Por ai është shoqëruar nga "fati i keq" gjatë gjithë udhëtimit.
Sapo kryeministri shkelte në aeroportet e Bonit, Frankfurtit dhe Mynihut, mësonte lajmin e keq se hiri vullkanik i kishte bllokuar pezullimet. Stafi i tij e ka njoftuar se aeroporti i Vjenës ishte ende hapur dhe Berisha niset me urgjencë për atje.
Kryeministri shqiptar u gjend në Vjenë të shtunën pasdite por edhe ky aeroport u mbyll. Në këtë moment "erërat" që kishte kundër u kthyen dhe Berishës i buzëqeshi fati. Ai takoi atë që ai e ka quajtur njeriun më të korruptuar në historinë e njerëzimit, Fatos Nanon.
Takimi i Vjenës
Një herë e një kohë armiq por tani miq të mirë, Berisha dhe Nano preferuan që të darkonin bashkë në një nga aeroportet e Vjenës. Burime pranë takimit pohuan se Berisha i ka kërkuar ndihmë Nanos që të zgjidhë krizën me PS-në dhe ta ndihmojë në procesin e liberalizimit të vizave. Mësohet se tema kryesore të bisedimeve janë zhvillimet në Partinë Socialiste dhe në tërësi zhvillimet politike në vend.
"Unë jam i preokupuar për çështjen e liberalizimit të vizave, ecurinë e saj dhe hapat që po ndiqen", ka deklaruar Nano në takimin me Berishën.
I pyetur dje nga mediat për takimin me Fatos Nanon, Berisha është përgjigjur: "Kam jo vetëm sinjale pozitive por dhe vlerësime shume pozitive për çdo gjë por për më shumë do të flas nesër. Jam takuar me shefin historik të së majtës shqiptare, por nesër (sot) do flas dhe për këtë, për Brukselin dhe për udhëtimin tim",- tha dje Berisha.
Ai ka sqaruar se ka kaluar natën në Vjenë dhe më pas është nisur me rrugë tokësore përmes Hungarisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Malit të Zi për të përfunduar në mbrëmje në Murriqan të Shkodrës.