E Diel, 1 Nëntor 2026

Brace: Raporti i KLSH, qeveria i trembet ballafaqimit

PS i ka bërë thirrje maxhorancës të kalojë sa më shpejt për shqyrtim në kuvend, raportin e KLSH-së për vitin 2008. Brace theksoi se qeveria i trembet ballafaqimit me faktet që flasin për abuzime, duke iu shmangur raportit. 

TIRANE- Partia Socialiste i kërkon mazhorancës të kalojë sa më shpejt në kuvend për diskutim, raportin e KLSH-së për vitin 2008. Nënkryetari i grupit PS, Erjon Brace tha sot se maxhoranca i trembet ballafaqimit me faktet që flasin për abuzime, duke iu shmangur raportit.
“Qeveria edhe pse e ka njohur këtë raport, hesht, kur duhet të vepronte me seriozitet dhe tu kërkontë menjëherë falje taksapaguesve për dëmin e shkaktuar ndaj parave të taksave të tyre. Ndërsa hesht për një dokument zyrtar të një institucioni kushtetues” theksoi Brace gjatë një konference për mediat.
Duke akuzuar kreun e qeverisë për refuzimin e rekomandimeve ligjore të KLSH-së, Brace deklaron se ky është një krim për faktin se mohoet ulja e kostove dhe uljen e dëmeve ndaj parave të taksapaguesve.
“KLSH ka denoncuar faktin se qeveria ka refuzuar zbatimin e rekomandimeve të tij për uljen e kostove për pasojë edhe të dëmeve të evidentuara dhe denoncuara nga vetë KLSH në ndërtimin e 56 kilometrave rrugë tashmë tejet të njohur Rrëshen- Kalimash” theksoi Brace.

Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka arritur të nxjerrë koston financiare të rrugës Durrës-Kukës, pasi qeveria nuk ka dhënë informacionet që i janë kërkuar. Kjo edhe pse KLSH-ja është institucioni që mbikëqyr menaxhimin e buxhetit, me anë të së cilit është financuar një pjesë e punimeve. Në raportin e fundit të KLSH-së theksohet se qeverisë i është kërkuar rishikimi i disa shtojcave të kontratës, me qëllim uljen e kostos së rrugës, por ekzekutivi nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Ky institucion i ka kërkuar ekzekutivit rishikimin e shtojcës 1 të kontratës për çmimet për njësi dhe atë të shtojcës 10 për sasitë e synuara në të cilat janë parashikuar zërat e punës. Por, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nuk ka marrë përgjigje nga qeveria për këto kërkesa, e cila ka krijuar vështirësi dhe mungesë transparence për llogaritjen e vlerës totale të rrugës.

Ekzekutivi shqiptarë ka heshtur edhe ndaj kërkesës tjetër të KLSH-së për të rishikuar pikën tjetër të kontratës që përjashton nga taksat kompaninë “Bektel Enka”, zbatuese të projektit të rrugës. Sipas kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit Robert Çeku, këto kërkesa për rishikim synojnë uljen e kostos financiare të rrugës Durrës- Kukës. (e.n/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›