E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Rrëshen-Kalimash, krimi më i madh i 13 viteve të fundit

Deputeti socialist akuzon qeverinë për kolapsin në financimin e rrugëve, mashtrimin elektoral dhe vjedhjen e shqiptarëve


Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka akuzuar dje sërish qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha si arkitekte të piramidës më të madhe financiare të 13 viteve të fundit, dhe të barazvlevshme me atë të ngritur në kohën kur Berisha ishte president i vendit.


Në një konferencë për shtyp të mbajtur 25 ditë pas shembjes së tunelit të Thirrës, më i kushtueshmi në Ballkan dhe 35 ditë nga mbyllja e rrugës Rrëshen-Kalimash, më e kushtueshmja në Ballkan, nisur nga shpenzimet për kilometer, Braçe u shpreh se heshtja e Sali Berishës, shton bindjen se inaugurimi elektoral i rrugës, ka qenë mashtrimi më i madh në 13 vitet e fundit, i barazvlerave me mashtrimin historik të skemave piramidale.


"Fatura financiare e kësaj manovre elektorale, e denoncuar botërisht nga institucionet kushtetuese, ligjzbatuese të këtij vendi, po arrin në vlerën e 1 miliard eurove me taksa! Fatura financiare pritet të fryhet edhe me 1/3 e parave të paguara deri tani, minimumi për shkak të manovrës elektorale dhe dëmit kolosal të ardhur prej saj.


Paratë e përdorura për këtë qëllim, përbëjnë një dëm kolosal ekonomik për buxhetin e shtetit, boshatisja e të cilit edhe për këtë shkak po shtyn drejt falimentit ekonominë e vendit, po nxjerr në pah pamundësinë financiare të qeverisë për të shlyer faturat e borxheve jo ligjore krijuar nga nevoja elektorale, për të paguar detyrimet ligjore ndaj kategorive në nevojë, të papunë, invalidë, etj".


Deputeti socialist u shpreh se opozita e konsideron të papranueshëm heshtjen e prokurorisë, mungesën e saj ligjore në kryerjen e veprimeve hetimore në dokumentin e këtij dëmi ekonomik kolosal, sepse sipas tij, është papranueshme që Prokuroria të veprojë ligjërisht vetëm në rast të vrasjeve apo vdekjeve, si pasojë e pasigurisë në punë e sipër në këtë rrugë.


"Mungesa edhe për më tej e Prokurorisë në kryerjen e veprimeve të domosdoshme hetimore po shton dyshimet e arsyeshme për nënshtrim të saj, daljen jashtë funksionit, për shkak të dhunës që vjen nga kultura qeveritare e pandëshkueshmërisë.


Ne, në emër të të gjithë qytetarëve taksapagues, kërkojmë sot me forcë, një shpjegim publik nga Prokuroria për arsyet e moskryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, në dokumentin e këtij krimi ekonomik",-u shpreh ai.


Denoncimi i Shoqatës së ndërtuesve për falimentimin e sipërmarrjeve

Ndërtuesit: "Berisha" na ka borxh 70 milionë euro


Qeveria "Berisha" u detyrohet mbi 70 milionë euro kompanive shqiptare të ndërtimit, të cilat bënë shumicën e investimeve që i duheshin qeverisë për gjysmën e parë të vitit, para fushatës elektorale.


Kërkesën e bënë publikisht përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve që kërkuan shlyrjen sa më parë të fondeve, sepse ato janë vënë në rrezik falimentimi në mungesë të likuiditeteve dhe që janë detyruar të marrin kredi me interesa të larta për blerjen e materialeve të nevojshme për të përballuar vrullin e lartë të punimeve para fushatës.


Sipas drejtorit të shoqatës Maksim Muçi: "Nga ana e institucioneve shtetërore ka një detyrim kontraktual të papaguar që arrin mbi 70 milionë euro, i cili duhet të ishte shlyer deri në fund të muajit maj. Bëhet fjalë për tenderat e bëra në vitin 2008 dhe që kanë vazhduar punimet edhe në vitin 2009 kur u ngarkuan me ritme të larta për fushatën elektorale.


Këto shoqëri po shkojnë drejt falimentimit financiar në kushtet kur shoqëritë kanë marrë kredi me interesa të larta për blerjen e materialeve , pajisjeve dhe makinerive për të përballuar volumin dhe ritmin e lartë të kërkuar për realizimin e objekteve të tenderuara. Eshte krijuar nje zinxhir detyrimesh te pashlyera qe çon ne demtimin e ambientit"-deklaroi ai.


Zvarritja e shlyerjes së detyrimeve ndaj kompanive që kanë punuar për realizimin e investimeve gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti është bërë publik që në muajin gusht ku deget e thesarit në Tiranë por edhe nëpër rrethe kanë kthyer mbrapsht pa miratuar pagesën për shumë shoqëri me justifikimin se janë hasur probleme në sistemin e brëndshëm.


Mosshlyerja në kohë e detyrimeve ndaj kompanive është bërë shkak edhe për zvarritjen e punimeve në një serë investimesh publike.


Për shkak të mungesës së parave kompani të ndryshme ose ndërprenë përkohesisht punimet ose larguan makineritë e tyre deri në pagesën e parave nga qeveria. Shembull i vonesave në kryerjen e punimeve për shkak të mospagesës është investimi në rrugën Plepa-Kavajë.


Megjithëse sipas planit punimet në këtë rrugë duhet të përfundonin në qershor të këtij viti rruga ende nuk është përfunduar duke shkaktuar trafik të rënduar sidomos gjatë muajve të verës.


Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe sidomos para datës 28 qershor, qeveria realizoi vellimin me te madh te investimeve publike me rreth 100 miliardë lekë.


Megjithëse treguesit e të ardhurave ishin në rënie rreth 250 milionë dollarë më pak se plani ekzekutivi mbajti një ritëm të lartë investimesh falë huave tregtare të marra në tregun ndërkombëtar.


Një prej tyre është kredia prej 250 milionë euro të marrë në momentin kur normat e interesit ishin në nivelet maksimale.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›