Tapeti i kuq
Festivale të bujshëm me pak mall shqiptar! Me fare pak, po me shumë optimizëm.
Tapeti i kuq, shkruajnë gazetat - përmendin këtë element të festivaleve të famshëm të botës, pastaj nisin e shtjellojnë me po ato fjalë, si ka ndodhur prej disa vitesh, ngritjen e siparit krejt ndryshe të festivalit me një tapet të kuq madhështor ku kalojnë si në paradë aktorë e aktore, regjisorë, madje dhe një regjisor i huaj i shquar këtë radhë.
Pas një përshkrimi në frymën e reklamës shtojnë një hollësi, se porta e Teatrit Kombëtar është bërë e pakalueshme nga publiku i shumtë që përpiqet të hyjë brenda për të parë. Çfarë? Filma në një festival ndërkombëtar me prestigj në botë (!) Fjala festival ndërkombëtar përsëritet disa herë si gong.
Sepse duhet të përsëritet që dhe lexuesi më i humbur i humbëtirës më të skajshme të gazetës të ndjejë tundim mundues, gati t'i krijohet ideja se dhe Kana, po dhe Los Anxhelesi ku jepet Oskari i famshëm ndodhen diku ne qendër të Tiranës.
Unë jam larg, ngushëllohem me internetin që më hedh atë rrjetë merimange për të më zënë frymën me këtë event (kështu e quajnë gazetat, event, se rioshët e gazetave rëndom dinë 3-4 gjuhë të huaja dhe ngatërrohen këndshëm nëpër fjalorë), po unë e di si shpëtohet nga kjo rrjetë false dhe i mahnitur nga truku për të imituar gjer në neveri gjithçka të huaj, tashmë të njohur e të bujshme, vë në përdorim (po pse o derëzi e vret të shkretin, sikur dëgjoj një zë sapak tallës), duke u nisur nga tapeti i kuq që kësaj radhe (si e harrova këtë grimëzë që fsheh në atë hapje madhështore simbolin) shtrihet nga Kryeministria gjer te fuajeja e Teatrit Kombëtar. Tapeti më i gjatë në historinë e festivaleve botërore.
Tapeti, i kuq flakë, tapeti i kushtueshëm, për të cilin është menduar që prej një viti. Tapeti... më falni, që po e përmend kaq shpesh, po është i vetmi që bie në sy.
Se mund të përmendja dhe majmunllëqe të tjera (ju lutem, lëreni pezhorativin fyes, merrni vetëm shakanë, atë që bëjmë shpesh mes miqsh kur diçka e kalon masën) bujshëm mund të kujtojmë "E diela shqiptare", apo simotra "E diella" (mos bëra mëkat dhe s'përmenda titullin e saktë, po tek e fundit edhe titujt janë të vjedhur) këto dy spektakle të së dielës që përmenda më lart nuk janë pikë për pikë "Domenica in"?
Po le të vazhdojmë me tapetin e kuq që të merr sytë me ngjyrën e tij. Ngrihet sipari në Teatrin Kombëtar dhe nis konkurrimi i filmave, gjer në mërzi më shpesh. Diskutime, kafe, përqafime, marrëveshje, si kudo.
Atje përjashta është ende tapeti, tapeti i kuq i shkelur nga këpucë artistësh në fillim dhe më pas nga këpucë fansash e adhurues të filmit, natën e mbledhin kutullaç, për të mos u bërë pis, e rrotullojnë bashkë me simbolin brenda që tani merr një sy gjumë.
Festivali pasqyrohet nëpër të gjitha gazetat e mëdha si një kontribut i madh herë i Ministrisë, që ndoshta s'di fare nëse ekziston një festival i tillë, herë i TIFF-it, organizatorëve të vërtetë, herë e Qendrës Kinematografike. Aty i shikon të gjithë: burokratë, drejtues institucionesh, artistë me projekte që s'bëhen. Ç'ironi! Miliona para për të ngritur një festival importi (prapë e shkel, me këto keqkuptime!
Mos ma merrni për keq, o vëllezër, ju njoh dhe më njihni, madje ju fort mirë ju vjen që doni të kopjoni në provincë pikë për pikë, atë që bën metropoli i madh dhe të ngjani si ana e pasme e një qëndisme!) Dhe kaq s'është pak. Festivale të bujshëm me pak mall shqiptar! Me fare pak, po me shumë optimizëm.
Po të pyesësh drejtorët, ata janë tejet të kënaqur për rezultatet e shkëlqyera, për filmat shqiptarë që po marrin çmime pas çmimesh dhe po përcjellin një art të ri të freskët. Po të pyesësh regjisorët, ata, pjesa më e madhe, mbajnë projektet e pamiratuar në duar, të zhgënjyer me politikat e Qendrës. Janë shtuar së shumti ata të njerkës dhe të jetimores.
Po tapeti i kuq? A s'bën përshtypje buja mediatike, siglat, fotoreporterët, paparacët, muzika, taka e hollë, xhaketat, të huajt që vijnë pasi kanë mbushur xhepat me para, darkat, intervistat? Ore njerëz, i keni sytë në ballë? Ja, ky është filmi, filmi ynë që konkurron denjësisht në botë. Mendja e të shkretit njeri, që e çoroditi politika, ngre prapë dilemën e llahtarshme: Kemi apo s'kemi film?
Kjo dilemë bie shpejt se është ai tapeti i kuq që shtrohet prapë ditën e fundit për ceremoninë e madhe të dhënieve të çmimeve prestigjioze, ai tapeti që të jep shpresë se vërtet ka ndodhur diçka, ke me çfarë të krenohesh, s'mungon asgjë në demokraci, asgjë.
Rreth 100 000 euro ka dhënë Qendra Kinematografike për këtë festival në formën e sponsorizimit. Më mirë bujshëm një reklamë që e shohin të gjithë dhe një javë rresht flitet vetëm për të, se sa një film shqiptar që s'shikohet nga asnjë dhe mbyllet në arkivë. Ky është mentaliteti.
Shtrohet sërish tapeti i kuq dhe kalojnë nëpër pushin e tij të butë më pak taka të larta, më pak këpucë lustrafin, më pak, sepse surprizës i ka dalë kallaji. Sërish publiku s'ishte i pranishëm, po festivali i madh u bë me sukses të plotë. Si të bëhet kulturëdashës publiku (jo familjet e drejtorëve dhe artistëve, po ai i panjohuri i shumtë që e do artin) kur festivalet bëhen për hir të festivalit?
Jo, të dashur, pikërisht ai i panjohuri e kupton hilenë e tapetit të kuq dhe e kaplon trishtimi, jo se s'ka më shpresë, po ndjen t'i zvetënohet dhe ajo grimë ndjenjë e bukur për artin.
E, kush ia vë veshin filmit, librit, operës, teatrit kur në Ministri të Kulturës emërojnë herë inxhinierë rrymash të dobëta, herë mësues matematike, herë kryetar bashkie, dalluar nëpër fushatat e partisë...
Mblidhet sërish tapeti i kuq dhe zhduket. Dhe simboli që fsheh brenda, ai i urës kulturore të kuqe që do të na çojë më shpejt në Europë, fluturon si pëllumb paqeje.
Nju Jork 2009