Braçe dhe Sina kundër ndarjes së re territoriale, ‘hudhra’ për Ramën

Dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë votuar kundër draftit të ri për reformën administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Burime bëjnë me dije se në mbledhjen e grupit parlamentar socialist në fillim të kësaj jave, Braçe dhe Sinaj kanë shfaqur rezerva për propozimin për shkrirjen e 15 bashkive. Kur drafti është hedhur në votim në mbledhjen e grupit, të dy deputetët kanë votuar kundër.
Vullnet Sinaj ka kundërshtuar konkretisht shkrirjen e Bashkisë Selenicë, ndërsa motivi i plotë i qëndrimit të Erion Braçes nuk është bërë publik. Gjatë mbledhjes, Braçe mësohet të jetë shprehur: “Më bën të shkoj drejt votës kundër”.
Drafti i Partisë Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive, konkretisht Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.
Projektligji po shqyrtohet në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ndërsa votimi në seancë plenare është parashikuar për 8 tetor. Për miratimin e reformës territoriale në Kuvend nevojiten të paktën 84 vota.
Nëse Braçe dhe Sinaj do ta mbajnë të njëjtin qëndrim edhe në seancën plenare, vota e tyre mund të ndikojë në numrat që mazhoranca duhet të sigurojë për miratimin e hartës së re territoriale.a.b