E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe i përgjigjet Spahiut: PS nuk është PASOK

TIRANE- Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe i ktheu përgjigje kreut të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, pas akuzës që ai bëri se PS është PASOK. 

“Kreshnik Spahiu sot, (dje) e tregoi PS-në si parti greke dhe aludoi se PS do të qeverisë me PD-në: Kreshnik po të përgjigjem unë meqë të tjerët po të përkëdhelin: PS nuk është PASOK!”, - shprehet Braçe, një ditë pasi kryetari i PS-së e la rrugën e hapur për një aleancë të mundshme me Aleancën Kuq e Zi. 

“PS është parti puro shqiptare, kombëtare, demokratike dhe socialiste. PS ka bërë për çështjen kombëtare shqiptare shumë më tepër se çdo parti, shoqatë, grupim në këtë vend, për Shqipërinë e sovranitetin e saj, për Kosovën dhe pavarësinë e saj, për shqiptarët kudo që janë, në Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo gjetkë”, - shkruan Braçe në komentin e tij, në rrjetin social, Facebook, ku shpesh publikon qëndrimet politike. 

Sipas tij: “PS, çështjen kombëtare e ka thelbin e vet. Për fat të keq ti e ke biznes personal, po bën para me të. PS për çështjen kombëtare flet e bën prej 20 vitesh, ti u kujtove tani që mbete pa punë, kurrë më parë”. 

Deputeti socialist vazhdon të tregojë veprimtarinë kombëtare të PS-së, duke thënë se: “PS është sot opozita më e madhe e më e rëndësishme në këtë vend, forcë jetike për të rrëzuar rrëgjimin; e ka paguar me gjak e sakrifica opozitarizmin e saj përballë Sali Berishës, por edhe përballë gjykatësve që i administroje ti edhe kundër opozitarizmit tonë”. “PS është alternativë qeverisëse ndaj Berishës, jo partnere e Qeverisë së Sali Berishës. Kurrë nuk do të jetë e tillë. Ti deri para se të humbje punën ishe partner me të, madje qysh i vogël, kur e fale në skandalin Arsidi, kur e certifikove në masakrën më të madhe elektorale të 26 majit dhe çdo ditë prej asaj dite vetëm partneri i tij ke qenë”, - shprehet Braçe, duke treguar lidhjet e Spahiut me PD-në. 

“Përsëri në detyrë me të je! Kjo është PS, Kreshnik dhe mos e ngatërro kurrë me ndonjë individ që si ka bartur kurrë vlerat e saj”, - shkruan Braçe, pa përmendur emra të tjerë, por duke ju drejtuar edhe kolegëve të tij, brenda partisë. E ndërsa i ka kthyer përgjigje Spahiut, ai vijon me kritikat edhe ndaj kreut të PS-së, Rama, kur u drejtohet tregtarëve të importit të plehrave. “Ju njoh të gjithëve, ju kam në një listë. Ua di edhe lidhjet ekonomike dhe politike. Do përballemi patjetër”, - u drejtohet Braçe tregtarëve të plehrave, në një tjetër koment më poshtë. 

“Si thoni, “shpresojmë që Erjon Braçe të mos flasë në emër të PS”? Qenkeni në një mendje me Atë në PS! Një përgjigje kam: Unë flas në emër të socialistëve, qytetarëve që përfaqësoj. Interesi i tyre është Shqipëria pa plehra, vendi dhe importi. Në emër të PS flet kryetari Edi Rama dhe ndonjëherë edhe Erion Veliaj”, - shkruan më tej Braçe.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera FRD dhe AK: Jo aleancë me PS dhe PD, koalicion me qytetarët

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›