E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe kundër Ramës për Metën: Mundësinë s’ia jep ti, kjo s’ka moral

“Ndodh që numrat nuk kanë moral, por prodhojnë pushtet. Por unë nuk mund të pranoj që pushteti në këtë vend të kalojë nga të korruptuarit te të njëjtët të korruptuar”

Deputeti i Beratit, Erjon Braçe, ka reaguar dje në lidhje me deklaratën e bërë nga Edi Rama një ditë më parë, se ILir Meta e ka një mundësi të dytë. Edhe pse thotë se nuk e ka parë intervistën, por e ka marrë deklaratën nga gazetat, ai thotë se është pa vend të thuash se Meta ka një mundësi të dytë me PS-në. Braçe thotë se PS-ja me Ilir Metën e ka kufirin te 21 Janari i këtij viti. ‎”…E ka një mundësi të dytë!!!”, e nis me këtë deklaratë habitore me plot pikëçuditëse pas deklaratën e tij në rrjetin social FB Erjon Braçe. Më tej ai sqaron opinionin e vet për këtë çështje. “Unë nuk e kam parë emisionin dje, por kam lexuar gjithë shtypin sot. Dua të them dy gjëra: E para, në një organizatë, mundësinë e parë, të dytë, të tretë… nuk e jep një individ, pavarësisht pushtetit që ka në të; mundësinë e jep organizata, por në respekt të rregullave të përbashkëta. E dyta, një vendim për një “mundësi të dytë” duhet të ketë moral, shumë moral; unë kujtoj vetëm muajin Janar të këtij viti, publikimin e skandalit më të madh prej 1990 në një qeveri shqiptare, shpërthimin e zemërimit qytetar ndaj korrupsionit publik, konsumuar mu para syve të tyre, reagimin kriminal të qeverisë së përfshirë në korrupsion, duke vrarë 4 qytetarë të angazhuar, opozitarë, familjarë, prindër.” Më tej Braçe thekson se këtë qëndrim e ka parimor. Jo se i pëlqen të bëjë protagonistin, duke dalë kundër deklaratave të kreut të PS-së. “21 janari është një ditë kufi për çdo politikan!”, shprehet ai, duke shtuar se “ndodh që numrat nuk kanë moral, por prodhojnë pushtet. Por unë nuk mund të pranoj që pushteti në këtë vend të kalojë nga të korruptuarit te të njëjtët të korruptuar”.

Sipas Braçes, kufiri është 21 janari, shkaku dhe reagimi deri në vrasje! “E nëse s’e mbani mend, ka një zotni që i quajti të vrarët "kokëpalarë"! Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe replikave në FB, Braçe shton se “unë dhe ti, por edhe Edi Rama, të shkojmë derë më derë e të bindim shqiptarët se nuk është korrupsioni zgjidhje, se duhet të na votojnë ne dhe se ne jemi ndryshe nga të korruptuarit në pushtet! Kujdes! Ne nuk jemi me të mirët, por thjesht jemi ndryshe nga këta! Kjo është punë. Nëse ne mendojmë se do të vijmë në pushtet me cilindo hajdut të majtë e të djathtë, që paska ca numra, më mirë të mos vijmë kurrë në pushtet!”-shkruan Braçe.

Sipas tij, Berisha mundet vetëm me ideale, pasi, po hymë në pazare, Berisha është më i zoti dhe ka para pa fund.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›