E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama eksperimenton sërish, konkurs në internet për Avokatin e Popullit

PS: Çdo individ që dëshiron të kandidojë për t’u zgjedhur Avokat i Popullit, është i ftuar të paraqesin pranë Komisionit Përzgjedhës ad hoc, një kërkesë me dokumentacionin e mëposhtëm: si kopje të jetëshkrimit të kandidatit, kopje diplome, kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda apo jashtë vendit, kopje të titujve shkencorë etj.

Partia Socialiste nuk rresht së eksperimentuari në veprimtarinë e saj politike. Pas angazhimit thuajse të përditshëm të kryetarit të saj në një portal të posaçëm në internet, me anë të të cilit ai komunikon tashmë jo vetëm me mediat por edhe me qytetarë të ndryshëm, selia rozë vjen me një risi tjetër në këtë fushë. Bëhet fjalë për konkursin e hapur për kreun e ri të Avokatit të Popullit, një pjesë e të cilit do të zhvillohet gjithashtu në internet. Partia Socialiste, pas propozimit të kryetarit të PS-së për ngritjen e një komisioni ad hoc, për thithjen, shqyrtimin e seleksionimin e kandidaturave për Avokat të Popullit, vë në dispozicion faqen e internetit me adresë “Avokatipopullit2011.ps.al”, ku shpall të hapur procesin e pranimit të dokumentacionit për çdo kandidat apo kandidate, që dëshiron të aplikojë për t’u zgjedhur Avokat i Popullit. Çdokush që është i interesuar për të konkurruar për këtë post ftohet në këtë faqe të paraqesë pranë Komisionit Përzgjedhës ad hoc dokumentacionin përkatës.

Komisioni ad hoc i ngritur prej Partisë Socialiste për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit e shpall të hapur procesin e pranimit të dokumentacionit të aplikimit të çdo kandidati apo kandidateje. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, në këtë faqe bëhet e ditur se Avokat i Popullit mund të jetë çdo shtetas shqiptar, me arsim të lartë, me njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit, i shquar për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale, e që të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin apo zgjedhjen e tij. “Çdo individ që dëshiron të kandidojë për t’u zgjedhur Avokat i Popullit, është i ftuar të paraqesin pranë Komisionit Përzgjedhës ad hoc, një kërkesë me dokumentacionin e mëposhtëm: kopje të jetëshkrimit të kandidatit, kopje diplome, kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda apo jashtë vendit, kopje të titujve shkencorë etj. Grupi i punës bën të ditur se afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, është data 5 dhjetor 2011. Pas përfundimit të procesit të pranimit të kërkesave, Komisioni Përzgjedhës njofton se do të bëjë një vlerësim paraprak të tyre dhe do të ftojë në dëgjesë publike kandidatët më të vlerësuar. Jo më vonë se data 15 dhjetor 2011, ky komision do të përgatisë një raport me shkrim për kandidaturat dhe një propozim konkret për Kryesinë e Partisë Socialiste e për grupin e saj parlamentar. Komisioni Përzgjedhës ad-hoc përbëhet nga tre deputetë socialistë: Eglantina Gjermeni, Besnik Bare, Astrit Beci, anëtarja e Asamblesë, Mimoza Hafizi, si dhe nga tre përfaqësues nga fusha akademike juridike, si Luan Omari, Vangjel Kosta dhe Gëzim Tushi. Mandati i këtij komisioni ad hoc ka në thelbin e përmbajtjes së vet qëllimin e Partisë Socialiste për të gjetur dhe mbështetur një kandidaturë që të përfaqësojë sa më mirë interesin publik për një Avokat të Popullit në shërbim të Kushtetutës, të ligjit e të të gjithë qytetarëve shqiptarë pa dallim moshe, gjinie, feje, krahine, bindjesh politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›