E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Hapje e PS dhe për ata që mendojnë ndryshe

SHKRUAN: Fejzi Braushi 19-11-2011 10:41

Kreu i PS-së nis dy ture; një për diskutimin e programit të miratuar në Kongres dhe një për promovimin e “Kurbanit”. Sot në Durrës, takimi me autografe për librin e ri

Ditët në vazhdim do të jenë të ngarkuara për kryesocialistin Edi Rama. Pasi paralelisht ai ka vendosur të zhvilloje dy ture në bazë: një për të prezantuar programin politik të PS-së, të miratuar nga Kongresi, si dhe një tur tjetër për të promovuar dhe firmosur librin e tij më të fundit, atë me titull “Kurbani”. Të parin e ka nisur dje nga Fieri, ku ka zhvilluar një takim me simpatizantë dhe mbështetës të PS-së, ndërsa të dytin do e nisë sot nga Durrësi, ku në ambientet e teatrit të qytetit do të japë autografe për lexuesit e librit të tij.

Turi për programin

Kreu socialist është ndalur dje në Fier, ku ka zhvilluar një takim prezantues të programit politikë, të miratuar vetëm dy javë më parë nga Kongresi. Rama i shoqëruar edhe nga deputetë të qarkut të Fierit si dhe drejtues lokalë të partisë, është takuar në sallën e teatrit “Bylis” me anëtarë dhe qytetarë të ndryshëm, ku ka biseduar në lidhje me programin e ri të kësaj force. Por përtej prezantimit të pikave kryesore të programit, takimi i ka shërbyer Ramës për të përcjellë në bazë edhe frymën e Kongresit, pra atë të hapjes së partisë. Kështu, mësohet se në takim Rama ka dhënë porosi të qarta që të rishikohet qëndrimi ndaj kërkesave për anëtarësim si të të larguarve, ashtu edhe të rinjve që duan të anëtarësohen në këtë forcë. Një mesazh ky që tashmë nuk përbën diçka të re, pasi prej dy javësh Rama në daljet e tij publike ka bërë thirrje hapur që të rikthehen të larguarit. Por ndërkohë, tani ka vendosur që për këtë të bindë dhe bazën e partisë. Në këtë linjë Rama ka theksuar nevojën edhe të një hapjeje jo thjesht për pranime emrash të larguar, por edhe të mendimit ndryshe, apo propozime dhe qëndrime jo në unison me vijën e partisë që mund të kenë elementë të ndryshëm brenda partisë. Ndërkaq ai i ka vënë si qëllim vetes që të shtojë gjatë vitit 2012 me gati 30% anëtarësinë e partisë, për të kaluar mbi 100 mijë anëtarë. Gjithashtu mësohet se Rama ka bërë edhe një herë të ditur se i mbetet qëndrimit të shprehur dy ditë më parë se, në rast se mazhoranca nuk heq dorë nga qarku i Fierit, atëherë PS-ja do të rishohë marrëveshjen e kompromisit me PD-në.

Turi për Librin

Gjatë ditës së sotme, në orën 18:00 pasdite Rama do të zbresë në Durrës, ku do të nisë një tur të dytë, por kësaj here për librin e tij “Kurbani”. Takimi i sotëm i Durrësit mësohet se do të pasohet edhe me një sërë takimesh të tjera në qytetet kryesore të vendit, ku Rama do të takojë lexues dhe simpatizantë të vet, mes të cilëve përveç diskutimeve për librin do të japë dhe autografe. Natyrisht turi do të shërbejë edhe për shitjen e mëtejshme të librit që Rama shkroi gjatë verës, pas humbjes së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës dhe që doli për publikun vetëm një javë më parë. “Kurbani” i Ramës është një rrëfim që kryesocialisti i bën jetës së tij në krye të Bashkisë së Tiranës në 11 vite. Ai ishte një nga titujt më të shitur në panairin e librit që u mbyll të dielën e shkuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›