Leskaj në krye të KLSH-së, PS do të votojë kundër
Kryesia e grupit parlamentar të PS-së, e mbledhur dje në mesditë në selinë rozë, ka vendosur që për Bujar Leskajn të votohet kundër në Kuvend. Në anën tjetër, PD-ja ende pa qëndrim zyrtar
TIRANË Partia Socialiste nuk do të përsërisë qëndrimin që mbajti ndaj Sali Shehut, kur ky i fundit u votua në Kuvend për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kryesia e grupit parlamentar të PS-së, e mbledhur dje në mesditë në selinë rozë, ka vendosur që për Bujar Leskajn (emri tjetër i Presidentit të Republikës i propozuar për kryetar të KLSH-së), të votojnë kundër. Për socialistët, kandidatura e Presidentit të Republikës për drejtimin e KLSH-së është politike, andaj edhe vota e tyre për këtë emër në Kuvend do të jetë kundër. Në periudhën 2005-2009 Bujar Leskaj ka qenë deputet i PD-së në zonën zgjedhore 49, në qarkun e Vlorës, ku mori 6272 vota. Për periudhën shtator 2005 – mars 2007, Leskaj ka mbajtur edhe postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në anën tjetër, Partia Demokratike ende nuk ka vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj kësaj kandidature. Përpos faktit që emri i Leskajt nuk është konsultuar paraprakisht nga ana e Presidentit me Kuvendin, Leskaj përmban një tjetër CV nga ajo e Sali Shehut. Pak kohë më parë, kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se nuk mund të votonte Sali Shehun në krye të KLSH-së pasi ai nuk kishte eksperiencën e duhur në këtë drejtim. Me pak fjalë, Shehu nuk ishte ekonomist, çka për Berishën ishte thelbësore në drejtimin e një institucioni të tillë. Në anën tjetër, Bujar Leskaj, përpos faktit që është i angazhuar në PD, mban edhe gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike”. Ai ka mbaruar tre fakultete; Fakulteti Gjeologji-Miniera në vitin 1990; Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë në vitin 1998 dhe Fakultetin e Drejtësisë më 2002. Në CV-në e Leskajt renditen edhe disa specializime pasuniversitare. Ai ka botuar disa libra, ndërkohë që prej vitit 1997 Leskaj është anëtar i PD-së. Dekreti i Presidentit të Republikës për drejtimin e KLSH-së nuk është futur ende në procedura parlamentare, ndërsa pritet që qëndrimin për këtë emër ta japë vetë Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ditën e hënë. Kryeministri Berisha e shmangu përgjigjen paraprake për këtë kandidaturë, teksa u pyet dje nga media. "Unë nuk merrem me fjalë, por me vepra”, ishte përgjigjja e Kryeministrit të vendit, duke lënë të hapur lojën për këtë emër,
që të paktën deri dje në mbrëmje nuk kishte gëzuar mbështetjen e plotë nga grupi parlamentar i PD-së.