E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe në 'News24' përlotet për Beratin: S'ishte vendimi im, nuk e pata të lehtë

TIRANE - Deputeti socialist, Erion Braçe komentoi në “News24” vendimin e Kryesisë së PS-së për të mos e kandiduar në qarkun e Beratit dhe përfshirjen e tij në listën e Fierit, i dyti në rënditje. Në një intervistë me gazetaren Ola Bruko në rubrikën “Opinion”, Braçe i përlotur tha se Berati do të mbetet gjithmonë shtëpia e tij.

Ndërsa theksoi se nuk e ka patur të lehtë të largohet nga Berati, ku shërbeu për 16 vjet si deputet, Braçe tha se tashmë me ndihmën e kreut të grupit, Gramoz Ruci, ka nisur fushatën e tij në Fier.

“Nuk kam hequr dorë nga Berati, nuk ishte vendimi im për të ikur nga Berati, madje nuk besoj që është mendim apo sugjerim i të gjithë atyre njerëzve që unë kam përfaqësuar për 16 vite me radhë në Berat. Përjashtohet kategorikisht dëshira ime për tu larguar nga Berati, por ka qenë një vendim i Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Pas 17 vitesh në fund të këtij mandati në Berat, natyrisht është një rrugë e re. Nuk ka qenë e lehtë për mua. Për mua Berati do mbetet shtëpia ime, por kështu erdhi dhe normalisht duhet të vazhdojmë përpara. Berati është një nga dashuritë e mia më të mëdha.”- theksoi Braçe, tepër i emocionuar.

Ndërsa pohoi se në mbledhjen e kryesisë së PS-së ka mbajtur një qëndrim kritik sa i përket listave të kandidatëve, Braçe hodhi poshtë lajmet e përhapura në media se kryetari Rama i kishte ofruar edhe mundësinë për të kandiduar në Tiranë.

“Nuk më është ofruar asgjë. Kam marrë pjesë në kryesi, aty kam mësuar se ku kandidoj. Nuk kam negociuar me askënd për këtë gjë, sepse nuk më është dhënë mundësia që të negocioj. Unë kam dhënë mendimin tim në mbledhjen e Kryesisë”- u shpreh Braçe.

Më tej deputeti socialist falenderoi publikisht dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ata deputetë të PS-së që tashmë nuk figurojnë në listat e 23 qershorit. Ai nuk komentoi mospërfshirjen e Arben Malajt në listat e PS-së, por vlerësoi kontributin e tij në Partinë Socialiste. 

“Falënderim dhe mirënjohje të madhe për zonjën Shega Ligori, me të cilën kemi ndarë beteja shumë të rëndësishme në Kuvendin e Shqipërisë. Eshtë një nga deputetët me të mira që unë kam njohur përsa i përket fushës së ligjit dhe drejtësisë. Shpreh mirënjohje për zotin Ilir Gjoni, një tjetër deputet shumë i mirë, një nga njerëzit me të cilët kemi zhvilluar betejën më të madhe të trafikut të armëve. Shpreh mirënjohjen time shumë të madhe për të tjerë kolegë shumë të rëndësishëm. Profesor Arben Isarajn me të cilin kemi ndarë beteja të rëndësishme. Dua t’i shpreh mirënjohjen time profesorit tim Arben Malajt, një nga ekspertët më të mirë të financave publike, një nga ekspertët më të mirë të ekonomisë. Nuk është larguar kurrkush nga PS, gjithsecili prej tyre është pjesë e PS. Bashkohen të gjithë në një pikë, janë socialistë dhe do të vazhdojnë të mbeten pjesë e PS-së”- u shpreh Braçe.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›