Parlamenti grek, projektligj kundër racizmit. Dënim edhe për politikanët
Greqi- Parlamenti grek pritet që të miratojë së shpejti një projektligj i cili do të dënojë jo vetëm veprimet por edhe fjalimet raciste.
Ministria greke e Drejtësisë do ta hedhë për konsultim fillimisht projektligjin e më pas deputetët do të votojnë, dhe deri më tani duket se ka gjetur mbështetjen e gjerë edhe të radikalëve të majtë të opozitës që shprehen se janë të gatshëm për të mbështetur iniciativen e qeverisë.
Në projektligj parashikohet se të gjithë ata që nxisin dhunën raciale do të përballen me denime me heqje lirie, privim të të drejtave politike dhe gjoba. Po ashtu, do të dënohen jo vetëm veprimet me motive raciste, por edhe fjalimet e kësaj natyre. Në dënimet më të ashpra përfshihen: burgimi me gjashtë vjet dhe gjoba deri në 20.000 euro.
Edhe politikanët nuk do të përjashtohen nga ky ligj i ri. Nëse ata dënohen, do tu hiqet automatikisht imuniteti parlamentar si dhe nëse gjykata i shpall fajtorë, do të privohen nga të drejtat e tyre politike, nga 2 deri 3 vjet.
Por këtë iniciativë ligjore e ka kundërshtuar partia neonaziste greke Agimi i Artë, që pas futjes së saj në Parlamentin grek, është rritur numri i sulmeve me motive raciste.
Ajo thekson në një deklaratë për shtyp se: Ky projektligj kërkon të frenojë rritjen e fuqisë së kësaj partie, që është zëri i së vërtetës kundër sistemit të kleptokracisë, mashtrimit dhe tradhtisë.