Brahimi: Luftëtari kthehet shpejt te fitorja
Drejtori sportiv i klubit gjirokastrit, Besim Brahimi, thekson se ekipi do të udhëheqë deri në stacionin e fundit të kampionatit
Shqiponjat nuk i përballuan dot gjëmimet e traktorëve në Lushnjë, veçanërisht të atyre që ishin në shkallët e stadiumit. Humbja minimale 1-0 bëri që ekipi gjirokastrit të humbasë
3-pikëshin e tretë në 21 javët e këtij kampionati, ku, bashkë me barazimet, bëjnë që të ketë 13 pikë më pak nga 63 të mundshmet. Gjithsesi, tani kryeson me 6 pikë diferencë nga Kukësi, që mban vendin e dytë, ndërsa për ndeshjen e radhës pret Butrintin, komshiun më të afërt, por edhe me sedër të lartë.
Qarqet futbollistike në Gjirokastër vazhdojnë të pyesin për arsyet e humbjes në Lushnjë, që mund të evitohej, por ja që trysnia ishte e lartë dhe në një moment gaboi edhe i pagabueshmi Selimaj, sikundër edhe të tjerët, që nuk e markuan si duhet në një çast Cankën, golashënuesin më të mirë të kampionatit. Nga ana tjetër, sulmi i shqiponjave nuk pati agresivitetin karakteristik.
Brahimi Drejtori sportiv i klubit Luftëtari, Besim Brahimi, shprehet:
Ne shkuam në Lushnjë me pretendimin për të mos humbur, por pësuam një gol aksidental dhe përgatitjet e bëra nuk dhanë efektin e kërkuar, sepse nuk funksionoi sulmi, përderisa nuk arriti të shënojë të paktën një gol, edhe pse patëm epërsi numerike. Goli që pësuam them se ishte i evitueshëm nga portieri ynë, por ai kishte dalë shumë para portës dhe kundrshtari e shfrytëzoi me zgjuarësi këtë fakt. Dua të them se, si publiku, ashtu edhe ekipi lushnjar, ishin shumë të acaruar.
Ne nuk mund ta nxirnim kokën nga stoli, pasi na vinin shishet si kokrra breshëri. Edhe terreni i lojës ishte shumë i keq. Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta harrojmë sa më shpejt atë ndeshje dhe të shohim përpara. E dimë që ndeshjet në vazhdim do të jenë të vështira, sepse çdo ekip ka objektivin e tij dhe do të luftojë me të gjitha forcat për realizmin e tij.
Ne do të vazhdojmë të udhëheqim kampionatin, duke i vlerësuar në maksimum ndeshjet, si në Gjirokastër, ashtu edhe jashtë saj, duke filluar me një fitore me Butrintin. Shpreh bindjen se Luftëtari do ta vazhdojë marshimin e nisur deri te stacioni i fundit për të hyrë në superligë.
