Qirjako: Ata që sduan të luajnë, të ikin që tani nga Gramozi
Nga Kristi Lilo
Pozicioni kritik në tabelën e klasifikimit ka sjellë një krisje mes futbollistëve të Gramozit dhe tifozëve të tij. Këta të fundit vazhdojnë ta sulmojnë shumë ashpër ekipin për gabimet që ka bërë në 6 javët e fazës së dytë. Madje, ka pasur edhe akuza për shitje ndeshjesh, gjë që nuk pranohet nga futbollistët,të cilët ndihen të turpëruar. Të gjithë futbollistët pohojnë se kanë luajtur dobët, por shprehen se nuk kanë marrë asnjë ryshfet nga ekipet e tjera.
Trajneri Ilir Qirjako ka bërë analizën e humbjes së thellë me Kukësin, ku mungonin më shumë se gjysma e titullarëve, duke filluar nga portieri Bello, për të vazhduar me Peçin, Omerajn, Çelën, Ahmetajn dhe Arapin. Trajneri kolonjar i ka kërkuar llogari çdo lojtari për paraqitjen e dobët. Nuk kam fakte dhe nuk akuzoj asnjërin për shitje, por është e qartë se ky Gramoz po vuan shumë, ngaqë lojtarët nuk janë korrektë dhe profesionistë në fushë.
Futbollistët mund të kenë pretendime për faktin që nuk kanë marrë pagat, por këtë çështje e kemi sqaruar që në fillim të sezonit. Ne e kemi thënë se do të jemi seriozë në fushë, edhe sikur ti marrim me vonesë pagat. Me mbështetjen e disa sponsorëve kolonjarë, për ndeshjen me Kukësin kishte edhe një shpërblim për fitoren, me vlerën e 3.5 milionë lekëve, por lojtarët e kuptuan së prapi këtë dhe bënë paraqitjen më të dobët.
Tifozëria kolonjare me të drejtë mund të kishte kaluar në ofendime, por ajo mbajti një qëndrim tepër korrekt. Për shumë lojtarë, me sa duket, fanella e Gramozin është shumë e lehtë. Është më mirë që ata ta thonë që tani se nuk munden të luajnë dhe le të largohen, është shprehur trajneri Ilir Qirjako, i cili po mendon për ndeshjen me Mamurrasin, ku shpreson të bëjë kthesën në rezultate.
