Canka: Bëmë një ndeshje perfekte me kryesuesit
Ndeshja e fundit tregoi forcën e vërtetë të verdhejeshilëve, të cilët synojnë të ruajnë ritmin edhe në transfertën e Elbasanit
Lushnja nuk gaboi në sfidën me Luftëtarin, edhe pse me një futbollist më pak. Në stadiumin Roza Haxhiu ka pasur spektakël në fushë dhe në shkallët e tij, ku më shumë se 6500 tifozë lushnjarë, të cilët kanë brohoritur për skuadrën e tyre të zemrës, që arriti një fitore domethënëse me kryesuesit e kampionatit.
Ata pak tifozë të ardhur nga Gjirokastra kanë qenë të veçuar për tu mbrojtur nga forcat e rendit, që në bashkëpunim me klubin lushnjar, kishin marrë masat e nevojshme për të mos pasur asnjë incident. Gjithçka ka qenë thuajse në perfeksion dhe goli i Cankës ka qenë qershia mbi tortë. Ky gol ka ardhur në një moment mjaft delikat për Lushnjën, që luante në inferioritet numerik. Verdhejeshilët kanë mbajtur ritmin e kryesuesve dhe kanë bërë më optimistë mbështetësit e tyre, që pritet të rriten në numër edhe në ndeshjen e fundjavës në Elbasan.
Stërvitja Java stërvitore ka nisur natyrshëm, me shumë impenjim për futbollistët e drejtuar nga trajneri Malko, të cilët e dinë së duhet shumë punë për të qnë në koherencë me rivalët. Trajneri Malko ka kërkuar impejnimin e të gjithëve për një tjetër ndeshje finale, që këtë radhë është në transfertë. Nga ana e tyre, tifozët lushnjarë nuk kanë munguar edhe në seancën stërvitore të parë të kësaj jave, ku kanë përgëzuar benjaminët e tyre.
Canka Njeriu i fitores së fundit ishte përsëri ai, Mikel Canka, i cili jo më kot kryeson listën e shënuesve më të mirë të kampionatit.
25-vjeçari nuk gjen mënyrë për ta shprehur gëzimin e tij për atë gol: Në radhë të parë, golin ua dedikoj gjithë mbështetësve të skuadrës sonë, që e mbushën plot stadiumin ndaj Luftëtarin. Ishte një ndeshje që do ta mbaj mend gjatë. Në momentin që askush nuk besonte se Lushnja do të merrte 3 pikët, sepse ishim me 10 vetë, nuk mund ta shpreh gëzimin kur pashë topin në rrjetë.
Ishte një moment i bukur dhe gjuajtja ime përfundoi aty ku e kisha menduar. Nuk kisha shënuar asnjëherë një gol nga aq larg dhe jam i lumtur që na dha 3 pikët dhe që gëzoi gjithë ata tifozë. U jemi shumë borxhlinj dhe u premtoj të tjerë gola të rëndësishëm, – ka thënë shënuesi më i mirë i kategorisë së parë, Canka, autori i 16 golave.
