Braho: 53,4% më pak “arrest me burg” në 2025-ën, korrupsioni fenomen shqetësues

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho prezantoi sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, raportin e SPAK për punën e bërë gjatë vitit 2025.
Në fjalën e tij, Braho theksoi se ka vijuar konsolidimin e funksionit të tij kushtetues dhe ligjor, duke u fokusuar në rritjen e efikasitetit të hetimeve dhe përdorimin e teknikave speciale.
Gjithashtu, sipas tij janë përmbushur rekomandimet e Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe progresraportit të Bashkimi Evropian.
I ndalur tek shifrat, Braho nënvizoi se gjatë vitit 2025 janë hetuar 870 procedime penale, ndërsa është shënuar rritje e ndjeshme e hetimeve proaktive, të cilat janë dyfishuar nga 19,8% në 37% krahasuar me vitin 2024.
“Gjatë këtij vitit, SPAK ka hetuar 870 procedime penale, krahasuar me vitin 2024. Volumi i punës së SPAK-ut është rritur me 4,9%. Ka pasur një rritje të rolit prokative të prokurorëve të posaçëm. Në krahasim me 2024, ky raport është dyfishuar nga 19,8% në vitin 2024 në 37% në vitin 2025. Nëse do t’i referohemi efektivitetit në hetim për vitin 2025, raporti mes procedimeve penale të reja, të regjistruara që është 294 dhe çështjeve të hetimeve të përfunduara në shifrën 216, ka pësuar rritje prej 7%”, tha Braho.
Sipas Brahos, të dhënat tregojnë se efektiviteti në fazën e gjykimit ka mbetur i qëndrueshëm gjatë periudhës 2021–2025, ndërsa është shënuar një rritje e numrit të vendimeve.
Braho theksoi se, totali i vendimeve të Gjykata e Posaçme është rritur me 5,5% krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar sipas tij stabilizim të volumit të çështjeve të përfunduara.
“Sa i përket efektivitetit në gjykim ka mbetur në nivele të qëndrueshëm gjatë periudhës 2021-2025. Krahasuar me vitin 2024 totali i vendimeve të Gjykatës së Posaçme është rritur lehtë me 5,5%, duke reflektuar stabilizim të volumit të çështjeve të përfunduara.
“Vendimet e fajësisë përbejnë rreth 87% të totalit, ndërsa vendimet e pafajësisë janë rreth 13%, duke treguar nivelin e lartë të efektivitetit të Prokurorisë së Posaçme në fazën e gjykimit. Gjatë vitit 2025 numri i rekurseve të paraqitura në Gjykatën e Lartë për çështje të hetuara nga SPAK është ulur ndjeshëm në rreth 68%”, tha Braho.
Sa u takon masave të sigurimit, Braho nënvizoi se raporti evidenton një ndryshim të dukshëm në politikën penale, e cila është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit dhe nevojës.
“Politika penale gjatë vitit 2025 është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit dhe nevojës duke konsideruar arrestin me burg si mjetin e fundit të sigurimit personal. Krahasuar me vitin 2024 masa e sigurimit arrest në burg ka pësuar rënie me rreth 53,4%, nga 236 raste në 2024 në 110 raste në vitin 2025.
“Për vitin 2025, lidhur me veprat penale të korrupsionit, kjo masë zë vetëm rreth 3,45% të totalit të personave nën hetim, ndërsa për krimin e organizuar, kjo masë sigurie zë 21,4% të personave nën hetim. Nga 434 persona në hetim në vitin 2025 janë hetuar në masën e sigurimit arrest me burg gjithsej 110 persona të arrestuar dhe 65 persona të tjerë në mungesë”, tha Braho.
Brahi theksoi se korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues, që përfshin funksionarë vendorë e administrativë, si dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe rendit.
Sipas të dhënave, Braho tha se për vitin 2025, është shënuar një rritje prej 18% e çështjeve të reja për korrupsion dhe 12% e çështjeve të përfunduara.
“Korrupsioni në institucione mbetet fenomen shqetësues, i cili përfshin funksionarë vendorë e administrativë, por edhe prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie e tjerë. SPAK ka shënuar një rritje prej 18% çështjet të reja për korrupsion dhe 12% të çështjeve të përfunduara.
Kemi dërguar në gjykatë 24 procedime penale me 144 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë, si dhe 10 procedime me 3000 të pandehur për veprat penale të korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë. 6 procedimet të reja dhe 6 persona të tjerë janë nën hetim. Rreth 50% e tyre janë dërguar në gjykatë. Rreth 10 të tjerë janë dënuar me vendim të formës së prerë”, tha Braho.
Braho bëri me dije se gjatë vitit 2025 janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë rreth 45,4 milionë euro, përfshirë edhe kriptovaluta me vlerë 12,4 milionë euro.
“Hetimi financiar – janë zbuluar skema komplekse të pastrimit të parave. Gjatë këtij viti 45,4 milionë euro të sekuestruara dhe konfiskuara, përfshirë dhe kriptovalutat me 12,4 milionë euro. Vlera e pasurisë të konfiskuara 1,94 milionë euro”, tha ai.
Kreu i SPAK, Klodjan Braho para KLP, Foto: Florian Abazaj 1 nga 7/m.q/a.f/r.e/