E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Wadephul: Këshilli i Sigurimit të veprojë për përshkallëzimin në Hormuz

BERLIN/NJU JORK, 27 prill /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, po udhëton drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit  të Sigurimit të  Kombeve të Bashkuara, e cila pritet të fokusohet në situatën në Ngushticën e Hormuzit.

Para nisjes, Wadephul u bëri thirrje anëtarëve të këshillit të përmbushin përgjegjësitë e tyre në organin më të fuqishëm të  Kombeve të Bashkuara, në trajtimin e luftës me Iranin.

Ai theksoi se një veprim i vendosur do të forconte rendin ndërkombëtar.

Ministri gjerman kërkoi që OKB-ja të shndërrohet në “qendrën kryesore të diplomacisë së krizave”, duke kritikuar faktin se shpesh interesat e kundërta të vendeve anëtare bllokojnë vendimmarrjen në Këshillin e Sigurimit.

Ai përmendi rolin e Kinës dhe Rusisë, të cilat si anëtare të përhershme me të drejtë vetoje shpesh pengojnë iniciativat për zgjidhjen e konflikteve.

Wadephul pritet të mbajë një fjalim gjatë debatit për sigurinë detare, ku do të diskutohet rifillimi i tregtisë së naftës dhe gazit përmes Hormuzit, një pikë kyçe në konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Ministri gjerman planifikon gjithashtu takime me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ndërsa kërkon mbështetje për kandidaturën e Gjermanisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Këshilli i Sigurimit, i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është i vetmi organ i OKB-së që mund të miratojë rezoluta detyruese ligjërisht, të shoqëruara me sanksione apo edhe veprime ushtarake në rast moszbatimi./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›