E Diel, 1 Nëntor 2026

Braho: Luftëtari duhej të kthehej si kampion në superiore

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Futbollisti gjirokastrit, Florjan Braho, dëshiron që ekipi tij të forcohet dhe të jetë sa më i qëndrueshëm në elitën e futbollit shqiptar

Në realitet historia nuk përsëritet, por në disa raste ka analogji dhe paralelizma, madje edhe të theksuara. Futbolli gjirokastrit, deri në vitin 1970, ishte thuajse amator. Në përbërjen e tij u shfaqën atëherë Theodhor Kalluci dhe Sefedin Braho me shokë, të cilët i ndryshuan fytyrën, duke pasur si reformator ish-futbollistin e njohur të 17 Nëntorit (sot Tirana), Bahri Ishkën.

Në fund të sezonit 1974-1975 u shpall kampion i kategorisë inferiore dhe emrat e lartpërmendur ishin në fillim të karrierës së tyre. Më pas, bashkë me disa gjirokastritë dhe disa lojtarë nga qytete të tjera, shkruajtën ato faqe që e futën Luftëtarin në elitën e ekipeve tona, në atë që e quajmë superligë.

Ekipi i atëhershëm dallohej për kundërsulmin e tij karakteristik dhe rezultativ, me trajnerë vendësit Hito Hitaj dhe Miço Çaro. Këtë sezon, dy futbollistë po gjirokastritë, Bledar Devolli dhe Arlind Nora, së bashku me vendës të tjerë, por edhe me jo të tillë, me trajner po një ish-futbollist të Tiranës dhe ndër më të shquarit e saj, Nevil Deden (si për koinçidencë erdhi fazën e dytë), e ngjitën Luftëtarin në superiore. Por nuk mund të profetizojmë të ardhmen, edhe pse të gjithë gjirokastritët duan të përsëritet ajo madhështi.

Braho Në përbërjen aktuale të Luftëtarit është edhe Florjan Braho, i cili, duke qenë nën hijen e rëndë të babait të tij, Sefedinit, simbol i futbollit gjirokastrit, nuk arriti shkëlqimin e tij, pavarësisht se disa driblime dhe disa gola sjellin firmën Braho. Luftëtari do të festojë sot kthimin në superligë dhe fitimin e titullit kampion të kategosisë së parë, duke i dhënë kështu fund torturës 5-vjeçare, por që nuk e dimë për sa sezone do të mbahet në superiore.

Për kampionatin që mbyllet sot, me ndeshjen me Mamurrasin, Braho thotë: Nesër (sot) gjithë gjirokastritët do të gëzojnë, sepse Luftëtari do të kurorëzohet kampion i kategorisë së parë dhe sezonin tjetër do të luajë në superligë. Ky gëzim është plotësisht i ligjshëm, pasi ekipi me meritë të plotë arriti rezultate ndoshta të papara në kategorinë e parë.

Patjetër që është sukses, por sukses më i madh dhe më i rëndësishëm do të jetë që Luftëtari të krijojë një fizionomi për të qenë i qëndrueshëm në superiore. Dhe që të realizohet një gjë e tillë, duhet financim i fortë  por them se kjo mund të bëhet, sepse Gjirokastra ka mjaft biznesmenë të fuqishëm. Them se ndeshjen e fundit, që nuk ka asnjë rëndësi për renditjen, do ta mbyllim me fitore për të qenë edhe festa sa më e bukur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›