E Diel, 1 Nëntor 2026

Malko: Le ta tregojë fusha kujt i takon vendi i dytë

Trajneri i Lushnjës, Sajmir Malko, thekson se skuadra e tij do të përfundojë garën me ndershmëri, duke u bazuar vetëm te forcat e saj

Lushnja do të jetë sot kryeqyteti i kategorisë së parë, pasi në stadiumin Roza Haxhiu do të luhet ndeshja më e rëndësishme, në fund të së cilës do të mësohet se cila skuadër do të renditet e dyta. Lushnja pret Kukësin rival në një ndeshje të pazakontë, sepse jo vetëm i duhet të fitojë, por edhe me shumë gola.

Myzeqarët duhet të shënojnë 3 herë në portën e Kukësit dhe të mos pësojnë gol, rezultat që në pamje të parë duket shumë i vështirë, por ata kanë besim se me grupin e futbollistëve që kanë, mund të fitojnë edhe më thellë. Deklaratat ia lënë sot gjithçka fushës së blertë, ndërkohë që tifozëritë janë organizuar sipas mënyrës së tyre për ta mbështetur si duhet skuadrën e zemrës. Lushnjarët kanë një javë që përgatiten dhe në Roza Haxhiu pritet të ketë spektakël jo vetëm në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit.

Malko Nga ana e tyre, drejtuesit dhe futbollistët e Lushnjës kanë qenë të kujdesshëm në deklarata, pasi nuk duan që situata të fryhet. Ata nuk e nënvlerësojnë dhe as e mbivlerësojnë ekipin kundërshtar. Trajneri Sajmir Malko thekson për Sportin shqiptar se për gjithçka do të flasë më mirë fusha. Sipas tij, ky 90-minutësh do të jetë treguesi më i qartë për faktin se kujt i takon vendi i dytë, Lushnjës apo Kukësit.

Luajmë ndeshjen e fundit të kampionatit, për fat të mirë në fushën tonë. Eshtë një ndeshje shumë e rëndësishme, që përcakton se kush do të kalojë direkt në superligë, ne apo Kukësi. Jemi përgatitur me shumë qetësi dhe seriozitet për këtë sfidë, ku na duhet një fitore e thellë. Natyrisht që kemi besim se do ta arrijmë, por dua që të mos merrem shumë me fjalë dhe tia lë gjithçka fushës së blertë.

E kam theksuar gjithmonë se Lushnja do ta vazhdojë garën me ndershmëri deri fund, duke besuar te vlerat dhe forcat e saj. Atë që kemi bërë deri tani do të bëjmë edhe në 90-minutëshin e fundit. Në fund të fundit, është një përplasje direkte rivalësh dhe le ta shohin të gjithë se cila skuadër e meriton të kalojë direkt në superligë, – ka theksuar mes të tjerash trajneri Malko, duke lënë të nënkuptohet se ka besim të plotë te të tijtë.

Gjatë javës është punuar shumë në aspektin sulmues, pasi duhen shënuar më shumë se dy gola. Sytë e të gjithë tifozëve lushnjarë do të jenë te sulmuesit Canka dhe Sefa, por Lushnja ka edhe lojtarë të tjerë, të cilët e godasin portën kundërshtare. Spektakli është i garantuar edhe nga tifozët, të cilët janë organizuar për ta inkurajuar skuadrën dhe njëkohësisht për të treguar qytetari.

   

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›