Braho: Po godasim edhe pasuritë kriminale jashtë vendit, nuk ka çështje “të vdekura” në SPAK

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Në Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u shqyrtua sot projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2025.
Kreu i SPAK, Klodjan Braho, deklaroi se Prokuroria e Posaçme nuk e konsideron asnjë dosje të pezulluar si të mbyllur përfundimisht, duke theksuar se hetimet rifillojnë sa herë krijohen mundësi për identifikimin e autorëve apo sigurimin e provave të reja.
Braho u shpreh se çështjet që lidhen me persona në kërkim vijojnë të jenë nën hetim dhe se nuk ekzistojnë dosje që mund të konsiderohen “të vdekura”.
“Nëse një person është në kërkim, çështja vazhdon të hetohet. Nuk kemi ndonjë të dhënë të saktë për numrin, por ka edhe çështje të kthyera pas pezullimit. Nuk mund të quhet asnjë çështje ‘e vdekur’. Krimi i organizuar shpeshherë ka autorë që nuk janë të identifikuar”, tha ai.
Duke folur për hetimet financiare, kreu i SPAK vuri në dukje se është vënë re një ndryshim i mënyrës se si grupet kriminale menaxhojnë pasuritë e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm jashtë vendit.
Sipas tij, nëse më parë produktet e veprës penale silleshin kryesisht në Shqipëri, tashmë ato po shpërndahen në vende të ndryshme për të shmangur identifikimin.
“Për pasuritë jashtë vendit, trendi i shtetasve shqiptarë të përfshirë me aktivitet jashtë vendit është që produktet e veprës penale t’i sjellin në Shqipëri. Së fundmi kanë nisur t’i shpërndajnë, të mos i sjellin në Shqipëri. E tillë është një pasuri 12.7 milionë euro, që është një shembull. Ka edhe raste të tjera, por nuk mund të flas për momentin”, deklaroi kreu i SPAK.
Sa i përket sigurisë së institucionit, ai theksoi se godina e SPAK dhe personeli mbrohen nga Garda e Republikës dhe se bashkëpunimi me këtë institucion ka qenë i vazhdueshëm.
“Godina e SPAK dhe personeli mbrohen nga Garda e Republikës dhe nuk kemi pasur asnjë problem me këtë institucion. I falënderoj edhe për këtë pjesë dhe na kanë mbështetur për këtë drejtim. Ka pasur mbrojtje shtesë për disa prokurorë, nuk mund të jap të dhëna shtesë, por ajo që mund të them është se komisioni ka qenë gjithnjë mbështetës në raste të tilla kur është kërkuar mbrojtje shtesë”, u shpreh Braho.
Sa i përket pastrimit të parave, prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, deklaroi se pastrimi i produkteve të veprave penale mbetet një ndër veprat penale me riskun më të lartë, ndërsa theksoi se edhe sektori i ndërtimit konsiderohet një fushë me ekspozim të lartë ndaj këtij fenomeni.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të një deputeti të opozitës, Bejko bëri të ditur se vetëm gjatë këtij viti SPAK ka zhvilluar tre operacione hetimore që lidhen me dyshime për pastrim parash dhe pastrim të produkteve të veprave penale në sektorin e ndërtimit.
“Vepra penale e pastrimit të produkteve të veprave penale është një vepër penale me risk të lartë dhe po edhe sektori i ndërtimit është një sektor me risk të lartë. Vetëm këtë vit SPAK ka demonstruar se ka kryer 3 operacione sa i përket hetimit të pastrimit të parave dhe pastrimit të produkteve të veprave penale në fushën e sektorit të ndërtimit. Masat konkrete që ka marrë SPAK për të intensifikuar luftën kundër pastrimit të parave, ndër të cilat është edhe udhëzimi i përgjithshëm që është nxjerrë në vitin 2024 ku krahas çdo hetimi penal prokurorët e SPAK kryejnë dhe hetimin financiar”, tha Bejko.
/m.q/ /a.g/