E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brain gain” rikthen në atdhe 130 intelektualë



Programi “Brain gain” ka sjellë në Shqipëri deri më sot 130 persona që kanë përfunduar shkollën jashtë shtetit dhe kanë punuar në vendet e tyre si pedagogë. Këshilltari i Kryeministrit për çështjet e arsimit, z. Myqerem Tafaj, e cilëson këtë program si të suksesshëm dhe paralajmëron vazhdimin e tij.

“Ndërsa numri i të kthyerve është i shumtë, për paketa nxitëse “Brain gain” kanë konkurruar mbi 130 veta të emëruar nga universitetet dhe ministritë, por vetëm 78 kanë përfituar paketat nxitëse. Procesi është ende i hapur dhe mbështetja e kandidatëve pritet të vazhdojnë edhe në vitin 2010”, - thotë z. Tafaj.

Sipas tij, programi “Brain gain”, pas kandidimit të suksesshëm të individëve dhe marrjes së vendit të punës me kontratë të plotë, ofron për ta paketa nxitëse të cilat përfshijnë mbështetje për të lehtësuar integrimin në Shqipëri. “Procesi i kandidimit për paketa nxitëse bëhet në bashkëpunim me institucionin punëdhënës. Bordi që aprovon paketat në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave 1100 të 30 korrikut 2008 ndjek një procedurë strikte. Kandidatët duhet të kenë mbaruar të paktën studimet e nivelit “Master” jashtë shtetit dhe të jenë të punësuar në një funksion drejtues për të përfituar paketat nxitëse”, - thotë ai.

Z. Tafaj sqaron se ky program është për individët që kanë përfunduar studimet e “Masterit” dhe “Doktoraturës” jashtë me anë të marrëveshjeve me departamentin e Administratës Publike ka arritur që këtyre kandidatëve t’u japë deri në 30 pikë për kualifikimet dhe përvojat jashtë vendit.

“Arritja më e rëndësishme e programit është që në Shqipëri po thyhen barrierat dhe bashkëpunimi po rritet duke integruar përvojat dhe iniciativat e personave që vijnë nga jashtë”, - thotë Tafaj.

Por z. Tafaj paralajmëron se ky program do të vazhdojë. Ndonëse ai i ka kushtuar rreth 1 milion dollarë qeverisë shqiptare, rezultatet e marra, sipas tij, janë të kënaqshme. “Mbështetja e individëve të mirëkualifikuar që vijnë nga jashtë me paketat nxitëse të programit “Brain gain” deri më tash i ka kushtuar qeverisë 1 milion dollarë, por kjo shumë pritet të rritet edhe më tej, nëse universitetet apo administrata punëson më tepër individë që kthehen me mastera apo doktoratura të përfunduara jashtë vendit”, - thotë z. Tafaj.

Programi është pozicionuar në Këshillin e Ministrave dhe bashkërendon punën me universitetet, ministritë dhe UNDP-në. Sipas z. Tafaj, aktorët që përfshihen në vendimmarrje dhe punëdhënie, janë të shumtë dhe programi shërben si urë lidhëse mes tyre për të lehtësuar kthimin e qëndrueshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›