Itali, tenton vetëvrasjen i burgosuri shqiptar, shpëtohet nga gardianët
Një i burgosur shqiptar në Itali ka tentuar vetëvrasjen, por ndërhyrja në kohë e gardianëve të burgut i ka shpëtuar atij jetën. Dyzeteshtatëvjeçari me inicialet G. P. i kishte planifikuar të gjitha: mënyrën se si do t’i jepte fund jetës, orarin, kohën kur gardianët nuk do të ishin rrotull. Por duket se punët nuk i kanë ecur ashtu siç ai mendonte. Ai ka bllokuar dhomën dhe ka hapur bombolën e gazit që e kishte në qeli, me synim që të mbytej. Por era e rëndë e tij ka bërë që gardianët të futen në qelinë ku ai rrinte. Ata e kanë parë të burgosurin shqiptar të shtrirë në tokë dhe afër tij, bombolën e hapur të gazit. Menjëherë kanë ndërhyrë për t’i dhënë atij ndihmën e parë. Pas disa minutash përpjekjeje, 47-vjeçari e ka rimarrë veten. Por kur ka parë që ai nuk e ka realizuar qëllimin e tij, ka filluar që të godasë me shkelma e grushte gardianët. “Tek ne nisën dyshimet, pasi në korridor ndihej një erë e fortë e gazit”, - shprehen gardianët për mediat italiane. “Nisëm kontrollin në të gjitha qelitë, derisa u futëm brenda në qelinë ku ndodhej i burgosuri shqiptar. Aty e pamë atë të shtrirë dhe pa ndjenja. Menjëherë mbyllëm bombolën e gazit dhe hoqëm leckat të cilat ai kishte vendosur për të izoluar ambientin. Disa nga ne i dhanë ndihmën e parë atij”, - përfundoi rrëfimin njëri nga gardianët. I burgosuri shqiptar ndodhet i shtruar në spital, ku duket se e ka kaluar gjendjen e vështirë.