Braktiset në rrugë fëmija i plagosur
Plagos në rrugë një vajzë 9-vjeçare dhe largohet me shpejtësi nga vendngjarja. Policia e Krujës arrestoi dje shtetasin Xhevahir Hima, i cili ka përplasur me automjetin e tij tip "Mercedes Benz" me targa KR 7161 A, vogëlushen Junida.M. dhe më pas është larguar me shpejtësi, duke e braktisur atë në rrugë. Pas hetimeve paraprake, "blutë" e Krujës bënë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e autorit të aksidentit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Borizanë. Vogëlushja ka qenë duke kaluar në rrugë, kur është goditur nga makina që është larguar me shpejtësi. Disa kalimtarë i kanë dhënë ndihmën e parë së miturës, e cila tashmë ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku po merr trajtimin e nevojshëm. Pas hetimeve të para, policia bëri shoqërimin e 41-vjeçarit Hima, si autor i aksidentit të ndodhur. Pas shoqërimit, ai ka pranuar autorësinë dhe për të është vendosur masa e arrestit. Shoferi akuzohet edhe për largimin nga vendi i aksidentit.