Brataj: Nga janari 250 mijë thirrje në Urgjencën Kombëtare, 6700 vizita në muaj

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot se rreth 250 mijë thirrje janë regjistruar që prej fillimit të vitit, ndërsa mesatarisht kryhen rreth 6700 vizita në muaj.
Në një intervistë televizive, Brataj tha se në momentin e thirrjeve të çdo qytetari krijohet një skedar i nevojshëm identiteti me të dhënat dhe simptomat, deri në momentin që grupi i mjekëve mbërrijnë në vendndodhjen e individit që telefonon.
Brataj u ndal edhe te simptomat e infarktit dhe në faktin nëse ato ndryshojnë mes burrave dhe grave, duke theksuar se simptomat janë të njëjta, ndërsa ndryshimi lidhet më shumë me faktorët e riskut.
“Simptomat nuk ndryshojnë. Dikur ka qenë koncepti i dhimbjes së gjoksit, sa zgjat më shumë apo më pak se 20 minuta. Sot, të gjitha simptomat si aritmia, insuficienca kardiake, infarkti dhe ishemia janë diagnoza të ndryshme”, u shpreh ai.
Sipas Bratajt, infarkti është më i shpeshtë te meshkujt, ndërsa në këtë drejtim ndikojnë faktorë të ndryshëm, përfshirë gjenetikën, ekspozimin ndaj faktorëve të riskut, aktivitetin fizik, duhanpirjen, konsumimin e alkoolit dhe diabetin.
Duke folur për dhimbjet e gjoksit, Brataj theksoi rëndësinë e vlerësimit të menjëhershëm mjekësor, pasi disa prej tyre mund të lidhen me situata që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
“Çdo dhimbje gjoksi, nga qafa deri te kërthiza, konsiderohet një shenjë që duhet vlerësuar. Duhen bërë analizat e gjakut dhe elektrokardiograma, në mënyrë që të përjashtohen shkaqet apo dëmtimi i zemrës”, tha ai.
Brataj u ndal edhe te kujdesi pas kalimit të një infarkti, veçanërisht gjatë periudhës së verës. Ai tha se një pacient që ka kaluar infarkt dhe i është vendosur stent ose i është kryer angioplastikë nuk duhet konsideruar automatikisht invalid.
“Shumë njerëz i konsiderojmë invalidë pasi kanë kaluar infarktin. Nëse ka ndodhur dhe ke vendosur një unazë ose balonë, kjo do të thotë se ke kaluar sëmundjen, por pacienti e ka zemrën në gjendje të mirë, edhe pse sigurisht ekziston një rrezik”, u shpreh Brataj.
Sipas tij, ndjekja e terapive të përshkruara, përfshirë antiagregantët dhe antikoagulantët është e rëndësishme për pacientët pas infarktit.
Ai foli gjithashtu për rrezikun e dehidratimit gjatë verës, veçanërisht te fëmijët. Sipas Bratajt, fëmijët janë më të ekspozuar ndaj dehidratimit, pasi mekanizmat e tyre fiziologjikë nuk janë ende të maturuar plotësisht dhe reagojnë më shpejt ndaj humbjes së lëngjeve.
/e.i/a.f/r.e/