E Diel, 1 Nëntor 2026

DPSHTRR: 48 mijë mjete rezultuan me mangësi në kontrollin teknik gjatë janar-qershorit

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, 48 004 mjete kanë rezultuar të ngelura ose të refuzuara në procesin e kontrollit teknik, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Sipas institucionit, mjetet e ngelura/refuzuara përbëjnë 23,9% të totalit të mjeteve të testuara gjatë periudhës janar–qershor 2026.

Nga këto mjete, 42 151 automjete janë ritestuar pas kryerjes së riparimeve të nevojshme, duke përbërë 87,81% të totalit të mjeteve që nuk e kaluan kontrollin fillestar.

Ndërkohë, 5 805 mjete janë ende në pritje për t’u riparaqitur për kontroll teknik, ose 12,09% e totalit, ndërsa 48 mjete janë refuzuar, duke zënë 0,10%.

DPSHTRR bëri të ditur se procesi i kontrollit teknik synon garantimin e sigurisë rrugore përmes verifikimit të gjendjes teknike të mjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›