E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil ashpërson luftën kundër bandave

Nga Express më 07 janar 2011 në ora 17:00

Grupe elitë të policisë braziliane nisën një operacion në shkallë të gjerë në lagjet e varfra të Rio de Zhaneiros, në përpjekje për të luftuar kriminalitetin famëkeq të getove, informuan mediat e vendit jug-amerikan.
Pothuajse 250 forca të zgjedhura po patrullojnë në një prej zonave më të rrezikshme në botë, me qëllim arrestimin e disa të shumëkërkuarve dhe goditjen e rëndë të krimit të organizuar.
Operacioni është pjesë e një plani afatgjatë të autoriteteve, në luftën kundër klaneve të drogës dhe krimit të organizuar, tepër i përhapur në zonat e varfra.
Deri tani operacioni nuk ka ndeshur në rezistencë, por policia pranoi se edhe shumë prej liderëve mafiozë janë arratisur nga zona, pas paralajmërimit që bënë forcat e rendit për banorët e thjeshtë.
”Shumë banditë janë fshehur nëpër shtëpi dhe pretendojnë se janë qytetarë të thjeshtë, kështu që do të operojmë me shumë kujdes”, deklaroi kapiteni i policisë, Ivan Blaz.
Rio de Zhaneiro po përpiqet të luftojë krimin e organizuar dhe të përmirësojë imazhin e vet ndërkombëtar, përpara se të presë ndeshje të Botërorit të vitit 2014 dhe Lojërat Olimpike të vitit 2016.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›