E Diel, 1 Nëntor 2026

Brazil, nisin provat e lira. Masa më i shpejti në prova

Nga Altin Latifi
Felipe Masa ka qenë më i shpejti në provat e lira për Cmimin e Madh të Brazilit. Piloti i Ferrarit ka lënë pas rivalin e tij Ljuis Hamilton, që gjithsesi duket shumë pranë kohës së tij. 

BRAZIL- Ka nisur nën shenjën e Ferrarit fundjava për Çmimin e Madh të Brazilit, që të dielën do të vendosë se kush do të jetë kampioni i ri i botës në Formula 1. Në provat e lira të zhvilluara të premten, Felipe Masa ka qenë më i shpejti, duke lënë pas rivalin e tij dhe liderin e kampionatit botëror Ljuis Hamilton. I treti është renditur Raikonen dhe menjëherë pas tij Robert Kubica, i ndjekur nga Heiki Kovalainen. Ashtu siç pritej, kushtet e motit kanë qenë të paqëndrueshme. Thuajse i gjithë sesioni i djeshëm është zhvilluar në një pistë të thatë, por në fund disa pika shiu kanë turbulluar punën e skuadrave. “Gjeta një pistë në kushte të mira”, deklaroi Felipe Masa pas provave. “Edhe pse koha nuk po na ndihmon, pista është shumë e mirë. E kemi nisur mirë”, u shpreh më tej piloti brazilian i Ferrarit. Çmimi i Madh i Brazilit do të vijojë të shtunën me provat zyrtare, ndërsa të dielën është gara. Hamilton ka 7 pikë para Masës dhe mund të shpallet ai kampioni i botës në rast se do të arrijë të paktën vendin e pestë në cirkuitin e Inter Lagosit. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›