Bregasi takon ambasadorin italian: Të rrisim bashkëpunimin

Nga takimi i Bregasit me ambasadorin italian
Rritja e bashkëpunimit mes shoqatave të biznesit të Shqipërisë dhe atyre të Italisë ka qenë në fokus të takimit të presidentit të BiznesAlbania, Luan Bregasi dhe ambasadorit italian, Massimo Gaiani. Në fjalën e tij Bregasi u shpreh se impakti kyç që ka pasur BiznesAlbania qysh në fillim ishte unifikimi në një i të gjithë shoqatave të biznesit, çka ktheu zërin e tyre nga të fortë në të fuqishëm. BiznesAlbania nuk u krijua me urdhër të dikujt, por si një nevojë e biznesit për të forcuar rolin dhe kontributin e klasës, së maturuar tashmë, të sipërmarrjes shqiptare. Shoqatat që përbëjnë BiznesAlbania-n ishin të forta, por nuk ishin të fuqishme. Tashmë ato janë të tilla, u shpreh presidenti i BiznesAlbania. Ai gjithashtu e vuri në dijeni ambasadorin mbi takimet e vazhdueshme që organizata ka pasur me simotra të saj në Europë, duke lënë kusht të hapur rrugën edhe për bashkëpunim me organizatat e ngjashme të biznesit në Itali. Nga ana e tij, ambasadori italian, Massimo Gaiani, vlerësoi rëndësinë që kanë marrëdhëniet e biznesit shqiptar dhe italian, duke iu referuar këtu shkëmbimeve tregtare. Duke qenë partneri i parë ekonomik i Shqipërisë, me rreth 30% të shkëmbimeve tregtare dypalëshe, Italia është e interesuar për një dialog në rritje mes shoqatave të biznesit të të dyja vendeve dhe institucioneve reciproke, tha ambasadori. Gjatë takimit palët diskutuan edhe mbi mundësinë e një axhende të përbashkët, si dhe organizimin e Ditës së Biznesit Shqipëri-Itali, apo edhe çështje të tjera me interes reciprok.