Topi dekoron Korpusin e Paqes me Urdhërin Nënë Tereza
Elbasan- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekoruar sot me Urdhërin e lartë Nënë Tereza Korpusin e Paqes në Shqipëri.
Ai ka marra pjesë sot në ceremoninë e betimit të vullnetarëve në kuadër të 20-vjetorit të misionit amerikan në vendin tonë, organizuar në tempullin e artit të qytetit të Elbasanit, në Teatrin Skampa.
Në fjalën e tij Topi u shpreh se kjo ceremoni dëshmon edhe njëherë miqësinë e shkëlqyer mes SHBA- së dhe Shqëipërisë si dhe lidhjen shpirtërore që i shkon shumë për shtat filozofisë dhe prakticitetit amerikan.
Misioni i Korpusit të Paqes, i realizuar në Shqipëri gjatë këtyre viteve, ka qenë një ndihmesë e madhe për shoqërinë shqiptare dhe për institucionet shqiptare. Sipas shifrave që na janë referuar janë rreth 1.6 milionë orë të shpenzuara në Shqipëri nga anëtarët e Korpusit të Paqes. Janë 64 bashki dhe komuna të asistuara nga anëtarët e Grupit të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes. Një bashkëpunim shumë i rëndësishëm me bashkitë, me komunat, me këshillat e qarqeve, dhe me institucione të tjera- tha kreu i shtetit.
Më tej ai i dorëzoi Urëdhërin drejtorit të Korpusit me motivacionin: Për ndihmesën shumë të çmuar të qeverisë dhe popullit amerikan që, nëpërmjet vullnetarëve të këtij Korpusi, kanë dhënë një kontribut të vyer për ecurinë dhe përparimin e vendit tonë në shumë fusha të rëndësishme. Me punën e tyre humanitare, domethënëse dhe të përkushtuar, kanë rizgjuar ndjenjën e vullnetarizmit në komunitetin shqiptar, duke forcuar akoma më tej marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore të bashkëpunimit e të mirëkuptimit midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I pranishëm ishte edhe ambazadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy shteteve dhe ka kërkuar forcimin e tyre në të ardhmen. Duke u shprehur i sigurt në në forcimin e klimës së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve tona dhe në shkëmbimin e përvojave e eksperiencave të ndryshme në të mirë të komunitetit.
Gjithashtu foli edhe kreu i Bashkisë Elbasan, i cili nuk ka lënë pa përmendur tragjedinë e Himarës ku humbën jetën 13 persona.
Kliti Topalli/ IDEA