E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do aplikojnë, punësim në Gjermani për 20 infermierë

Kontrata pune 18-mujore në Gjermani për 20 infermierë. Ky është projekti më i fundit që Ministria e Punës do të zbatojë në sajë të marrëveshjes me homologen gjermane. Aplikimet janë hapur dhe afati i fundit është vendosur data 6 qershor. Kushtet e punës së punonjësve shqiptarë do të jenë të njëjta me ato të punonjësve gjermanë dhe, pas përfundimit të kontratës të punës, infermierët që do të përfitojnë nga projekti do të kthehen në vend me aftësi të përmirësuara dhe të certifikuara profesionale, bën me dije Ministria e Punës me anë të një deklarate për mediat. Të interesuarit duhet të plotësojnë dosjen me një sërë dokumentesh. Kriteret dhe kushtet janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punës. Përzgjedhja e kandidatëve fitues do të bëhet në bazë të shqyrtimit për plotësimin e të gjitha kërkesave të aplikimit, aftësinë profesionale dhe eksperiencën e punës të kandidateve, si dhe njohjes së gjuhës gjermane. Kandidatët e përzgjedhur paraprakisht mbi bazën e dokumentacionit i nënshtrohen një interviste me përfaqësuesit e palës gjermane. Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen (kontaktohen në numrat e telefonit dhe në adresën e postës elektronike) për të marrë pjesë në intervistat përzgjedhëse (rreth 30 minuta për çdo intervistë). Është përgjegjësi e kandidatëve që të sigurohen të jenë të kontaktueshëm në numrin e telefonit dhe në adresën e postës elektronike, thuhet në deklaratën për mediat. Sipas saj, në rast pamundësie për tu kontaktuar apo mosparaqitje në intervistë në datën dhe orën e paracaktuar, kandidati do të konsiderohet i përjashtuar nga përzgjedhja. Kohëzgjatja e marrëveshjes së punësimit është të paktën një vit dhe jo më shumë se 18 muaj. Orari javor i punës është i njëjtë me numrin normal të orarit të punës me kohë të plotë, në përputhje me kontratën kolektive ose pagesës tipike të punësimit me kohë të plotë, sqaron Ministria e Punës.

Kush mund të aplikojë
Çfarë mundësish ofrohen për punonjësit

Infermierët shqiptarë mund të përfitojnë deri në 18 muaj kualifikim të mëtejshëm profesional e gjuhësor si punonjës mysafirë në Gjermani.

Çfarë kushtesh duhen plotësuar
Ushtrimi i testuar i profesionit është parakusht për njohjen shtetërore të diplomës në Gjermani. Deri në marrjen me sukses të provimit për njohjen e diplomës, punonjësit do të punojnë fillimisht si ndihmës-infermierë/ndihmës-infermiere.
Shtetas shqiptarë
Mbi 22 vjeç
Me studime të përfunduara në fushën e infermierisë në Shqipëri dhe, në rastin ideal, me përvojë konkrete në profesion
Me njohuri të  mjaftueshme të gjuhës gjermane

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›