E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Integrimi nuk varet nga humori i opozitës

11/06/2010 Qeveria dorëzon përgjigjet e pyetjeve shtesë të kërkuara nga KE-ja

Pritet që opinioni për Shqipërinë të jetë gati brenda 2010

Qeveria shqiptare ka dorëzuar dje pyetjet shtesë dhe kërkesat për sqarime mbi përgjigjet e dhëna më parë, që Komisioni Evropian kërkoi para tre javësh. Dorëzimi këtë radhë u bë përmes postës elektronike. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka thënë gjatë një konference për shtyp se 700 kërkesat shtesë, ku 170 ishin pyetje të reja, janë shoqëruar edhe nga misionet e vëzhguesve në terren. Pas këtij momenti, Qeveria shqiptare do të ngrejë grupin stabël me përfaqësues të administratës shqiptare, i cili do të jetë bazë për të ndërtuar grupin e negociatorëve. E pyetur në lidhje me pyetjen shtesë të KE-së, lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare, që ka lidhje direkte me ngërçin politik në vend, Bregu tha se përgjigjja është dhënë duke respektuar ligjet e vendit. Referuar pikërisht situatës politike në vend, Bregu është shprehur se fatmirësisht procesi i integrimit të vendit në BE nuk është një proces që ecën vetëm në bazë të humorit të opozitës apo liderit të Partisë Socialiste. “Askush nuk i heq meritën as Qeverisë, as politikës, asnjë individi apo politikani në veçanti, sikurse askush nuk mund të mos i njohë përgjegjësinë për bllokim apo tentativa për të bllokuar procesin e integrimit atyre politikanëve që kanë dëshmuar papërgjegjshmëri”, tha ajo.

Ministrja Bregu theksoi se me ritmin me të cilin po vazhdohet procesi dhe marrëdhënia me Bashkimin Evropian, ekzekutivi beson që KE-ja po punon për përgatitjen e një opinioni për dhënien Shqipërisë të statusit vend kandidat brenda vitit 2010. Sipas saj, brenda këtij viti do të përgatiten të gjitha strukturat për të demonstruar para institucioneve të BE-së vullnetin politik të Qeverisë shqiptare për të ecur me hapa të shpejtë në procesin e integrimit. “Sot në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së nuk ka asnjë çështje të konsideruar problematike, asnjë çështje të mbetur pezull dhe të pazgjidhur, duke konsideruar kështu Shqipërinë si një model të zbatimit dhe të ruajtjes së partneritetit mes një vendi që kërkon të anëtarësohet dhe strukturave të BE-së”, tha Bregu. Ministrja bëri me dije se janë plotësuar pjesa më e madhe e zbatimit të detyrimeve, të cilat monitorohen gjatë gjithë kohës nga BE-ja. Ajo nënvizoi faktin se një nga elementet më të rëndësishme në marrëdhënien me BE-në është tregu i përbashkët, dhe jo më kot pjesa më e madhe e eksporteve dhe importeve shqiptare është me vendet e BE-së: importet zënë 83% të totalit, ndërsa eksportet, 65%.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›