E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë e lundrimit rrisin 60 për qind biletën

11/06/2010 Largohet “Adriatica”, nis spekulimi. Pritet ndërhyrja e ministrisë së linjës

DURRES- Kompanitë e lundrimeve kanë rritur çmimin e biletës për të gjithë udhëtarët që do të lundrojnë me tragete nga portet italiane drejt portit të Durrësit e Vlorës. Shkak për këtë vendim të tyre është bërë dalja nga lundrimi i Adriatica për këtë sezon vere. “Adriatica” ka qenë trageti më cilësor që ka lundruar në portet italo-shqiptare dhe që ka mundur të mbajë nën kontroll çmimet duke mos lejuar rritjen fiktive të tyre. Burime nga agjencitë që afrojnë prenotime për lundrime drejt porteve italiane dhe shqiptare kanë thënë se çmimet për sezonin e verës dhe në pikun e kërkesës do të jenë deri në 60 për qind më të larta.

Biletat

Një biletë për qëndrim në këmbë në traget do të kushtojë 64 euro, mjeti për t’u transportuar do të paguajë 80-100 euro, prenotim për një shtrat të thjeshtë 74 euro, shtrati klasit të parë kushton 94 euro dhe prenotimi i një dhome suitë është bërë 115 euro. Vetëm një vit më parë bileta në këmbë me traget kushtonte 38 euro dhe rritja e saj me 26 euro është cilësuar më së shumti spekulim. Rritja me 60 për qind e biletës bëhet në mënyrë spekulative dhe kjo pritet të jetë një ndër pikat më të vëzhguara e më të monitoruara. Ankesat për rritjen e pajustifikuar të biletës kanë mbërritur në ministrinë e linjës dhe pritet reagim i shpejtë. Me nisjen e fluksit të emigrantëve shqiptarë kompanitë kanë vendosur të rrisin çmimin kjo më së shumti të bindur se në pjesën më të madhe emigrantët do të detyrohen të marrin rrugën me mjete. Në biletën e prerë për asnjë rast nuk të afrohet në traget asnjë lloj shërbimi. Udhëtarët që marrin përgjithësisht këtë rrugë në pamundësi për të fluturuar me avion janë të detyruar të paguajnë në banak për kafen, çajin, ujin apo çdo gjë tjetër. Gjithnjë sipas tyre për një familje që zgjedh linjën ajrore bileta mund të kushtojë deri në 400 euro vajtje-ardhje, kurse e njëjta familje nëse zgjedh tragetin do të duhet të paguajë deri në 1200 euro për vajtje-ardhje. Fluksi në drejtimin Bari-Durrës nis në korrik pasi emigrantët dërgojnë fillimisht familjen, gratë e fëmijët që mbarojnë shkollën dhe në gusht vijnë edhe vet. Ndërkohë në kthim familja është e bashkuar e gjitha dhe kjo ka shtyrë kompanitë të shfrytëzojnë sa më shumë fluksin. Kjo situatë pasohet me rritjen mbi kapacitetet e lejuara të përpunimit të udhëtarëve e mjeteve në një traget dhe rritjes së biletës. Kompanitë e trageteve janë italiane e shqiptare, ndërsa në vendin tonë operojnë përfaqësitë si “Kad”, “Duni”, “Adria”, “San Nikolla”, “ Europian Sewjs”, “Rigel”, të cilat janë të detyruar vetëm të bëjnë transportin pa pasur asnjë të drejtë të ndikojnë në çmimet e biletës për udhëtarë, mjete, kamionë. Në sezonin e sivjetmë çmimet do të jenë shumë të larta dhe kjo ka tërhequr vëmendjen e specialistëve në ministri, ndërkohë që ende në opinion nuk është mësuar një rritje e tillë ngase fluksi nuk ka ardhur. Por emigrantët që kanë prenotuar lundrime për Durrës në gusht e në shtator janë gjendur të befasuar. Pavarësisht kushteve, kapaciteteve e higjienës që kanë tragetet “Rigel”, “Apollonia”, “Jonis”, Axurra”, “Arbëria” etj. bileta do të jetë shumë më e lartë se vitet e tjera. Trageti “Adriatica” nuk do të mund të futet në lundrim këtë verë, pasi është dërguar për remont në Itali dhe kjo është shfrytëzuar nga kompanitë. Kjo rrezikon që emigrantët kryesisht kosovarë të zgjedhin një itinerar tjetër për të shkuar në Kosovë apo për t’u kthyer në vendet e tyre rezidenciale. Linjat për në Igumenicë, Mal të Zi e Maqedoni të disa kompanive të tjera ofrojnë edhe çmime shumë më të favorshme, edhe kushte cilësore lundrimi.

Kushtet

Gjendje mizerable nëpër tragete, specialistët nuk interesohen

Ministria e Transporteve do të nisë kontrollin edhe për certifikimin e ekuipazheve të trageteve, regjimin brenda në anijen e udhëtarëve dhe higjienën. Në kuzhinën e disa trageteve udhëtarët marrin vetëm sallatë e panine, ndërsa kanë shfaqur vërejtje shumë serioze lidhur me papastërtinë. Banjat nuk janë higjienike, shtretërit janë të parregullt, dushet nuk funksionojnë, në dhomat e kushtueshme kondicionerët përgjithësisht nuk janë në gjendje pune dhe në vendqëndrimet e udhëtarëve ka shumë papastërti. Ndonëse nuk janë dhënë shumë hollësi thuhet se ka tragete që e kanë ekuipazhin të paregjistruar, ndërsa dyshohet se në linjat drejt portit të Durrësit lundrojnë edhe tragete që u ka përfunduar afati. Grupi me mjek e policë që kanë autoritetin për të urdhëruar nisjen e përpunimit nuk marrin asnjëherë takim me udhëtarë për të pyetur lidhur me shqetësimet gjatë lundrimit, cilësinë e ushqimit, kushtet e higjienës etj. Pasi hipin në traget ulen në një tavolinë dhe plotësojnë e firmosin një nga një fletët, duke mos u interesuar për të parë apo mësuar për gjendjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›