E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Kompania e Ajazit inaktive. PS: QKR e pezulloi sot

TIRANË- Partia Socialiste rrëzon pretendimet e Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, se burri i saj nuk ka perfituar nga koncensionet për ndërtimin e disa hidrocentraleve. Deputetja e PS Olta Xhacka publikoi sot formularë të QKR-së ku tregohet se bashkëshorti dhe kunati i ministres Bregu janë pronarë të dy kompanive që operojnë në sektorin e energjetikës. Një gjë të tillë e ka mohuar më pas ministrja Bregu duke deklaruar se firma me administrator bashkëshortin e saj është e pezulluar. Por një tjetër dokument i bërë publik nga PS ka treguar se pezullimi është bërë vetëm sot.

PS: Bregu urdheroi sot pezullimin e kompanise
Pas deklaratës së Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu e cila ju përgjigj akuzave të opozitës duke pohuar se bashkëshorti i saj është pjesë e një kompanie inaktive me status pezull në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ka ardhur reagimi i Partisë Socialiste.

Përmes deputetet Olta Xhacka, PS bën publike të dhëna që flasin për pezullimin e kompanisë në fjalë vetëm 50 minuta pasi selia rozë bëri publikë disa formularë të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve që i përkasin kompanive të kunatit të ministres Majlinda Bregu, zotit Hektor Ajazi. 

"Dje Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu doli e u tha shqiptareve JO, burri im nuk ka kompani të lidhur me energjinë. Por sot kur Partia Socialiste publikoi provat që vërtetonin faktin se Namik Beqir AJAZI kishte në pronësi 30% të kompanisë MIA intenational, kompani e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me fushën e energjetikës, ministrja Bregu urdhëroi QKR për te pezulluar aktivitetin e burrit si administrator i kësaj kompanie. Pra e njëjta kompani, MIA internacional që deri ditën e sotme figuronte me status aktiv me administrator e ortak, Namik Ajazin, bashkëshortin e ministres, pas urdhërit të zonjës Bregu në fillim u kthye në një kompani pa administrator dhe me një ortak mangut, e më pas në një kompani të pezulluar.Kjo është e vërteta dhe ky është shteti i venë në funksion të korrupsionit."

PS akuzoi ministren Bregu se ka gënjyer publikisht kur ka thënë se bashkëshorti i saj, Namik Beqir Ajazi nuk ka asnjë lidhje me fushën e energjisë, pasi ai është bashkëpronar me 30% të aksioneve por dhe përfaqësues ligjor i saj, ka si objekt biznesi "Punimet e ndërtimin e komplekseve që prodhojnë dhe shpërndajnë energji."

Ora : 17:45- Bregu: Burri im pjesë e një kompanie të pezulluar 
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu përmes një deklarate për mediat pranon se bashkëshorti i saj është pjesë e një kompanie Mia InTernational por sqaron se kjo kompani është inaktive me status pezull në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, e cila nuk ka funksionuar asnjë ditë, as nuk ka kryer transaksione bankare apo nënshkruar kontrata të asnjë lloji, por sipas ministres është regjistruar me qëllimin e mirë të një grupi investitorësh italianë për të pastruar mbeturinat nëpër qytete, përfshi edhe Tiranën.

Më tej në sqarimin e saj ministrja e Integrimit shton se,- “Vetëm tre muaj pas regjistrimit të kompanisë, në 12 tetor të vitit 2009, në pamundësi për të ndjekur këtë aktivitet, bashkëshorti im ka paraqitur letrat e dorëheqjes si pranë studios ligjore ku është bërë regjistrimi, ashtu edhe pranë asamblesë së ortakëve. ”.

Sipas ministres bregu statusi “pezulluar” i kompanisë, mund të vërtetohet lehtësisht në faqen e internetit të Qendres Kombetare të Rregjistrimit. 

Ora: 14:10- PS, Xhacka: Kompania e kunatit, guacka që fsheh burrin e Bregut
Deputetja e PS, Olta Xhacka në një deklaratë për shtyp të bërë sot, vazhdoi akuzat për ministren Majlinda Bregu. Sipas Deputetes socialiste kunati i Bregut, Hektor Ajazi ka krijuar kompani menjëherë sapo u mor koncesioni i HEC-it, ndërsa shton se ky i fundit nuk ka pasur lidhje me fushën energjetike.

“Sipas formularëve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit tregojnë se kunati i zonjës Bregu nuk kishte kurrfarë eksperience apo lidhjeje biznesi me energjitikën duke qenë se bizneset e tij të mëparshme ishin një disko dhe prodhim të dollapëve. Kjo tregon se zoti Hektor Ajazi ka themeluar një kompani vetëm për të marrë koncesionin për ndërtimin e hidrocentraleve pa patur asnjë lidhje me këtë sektor”, - theksoi Xhacka.

Deputetja Xhacka arrin tu përgjigjet pyetjeve të ngritura ditë më parë nga Ministrja Bregu dhe deklaron se kompania e kunatit të saj është ngritur vetëm për të mbuluar familjen e ministres Bregu.

“Ministrja Bregu ka gënjyer publikisht kur ka thënë se bashkëshorti i saj, Namik Beqir Ajazi nuk ka asnjë lidhje me fushën e energjisë. Kjo kompani, M.I.A. Internacional, ku burri i ministres është bashkëpronar me 30% të aksioneve por dhe përfaqësues ligjor i saj, ka si objekt biznesi "Punimet e ndërtimin e komplekseve që prodhojnë dhe shpërndajnë energji."
Këtu ngrihet dyshimi se kjo kompani mund të jetë krijuar menjëherë pas marrjes së koncesionit nga vëllai i burrit të ministres Bregu, ndoshta për ta ndërtuar atë? Mos vallë kompania e Hektor Ajazit, kunatit të Bregut, është guacka që fsheh burrin e ministres, për llogari të të cilit është marrë koncesioni?”;- sqaroi Xhacka më tej.
(m.a/e.n/BalkanWeb) Lidhje te tjera METE: Koncensionet në përputhje me ligjin

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›