Bregu: Refuzimi i statusit nga mosplotësimi i kriterit politik
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka ritheksuar se mungesa e kriterit politik, pengoi marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një tryezë për rishikimin e planit të veprimit të Integrimit të vitit të kaluar, ministrja Bregu theksoi se bojkoti i gjatë i opozitës dhe mosmiratimi i ligjeve me 3/5 bënë që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
“Mungesa e dialogut nuk mundësoi marrjen e statusit kandidat. Bojkoti i gjatë nga opozita dhe bllokimi I ligjeve me 3/5 ishin kryesore për mosplotësimin e kriterit politik. Ne presim që të mos kemi më pengesa të tilla. E rëndësishme është që ligje të tjera me 3/5 të miratohen, sikurse dhe hapa të tjerë”, ka theksuar Bregu.
Ajo gjithashtu ka theksuar se është e rëndësishme që procesi i integrimit që pavarësisht se është tërhequr të jetë një proces që ta përgatisë Shqipërinë për integrimin ndërsa ka theksuar se ka mangësi ligjore në 20 fusha për të cilat duhet punuar.
“Presim që plani i rishikuar me sygjerimet tuaja të përmirësohet më tej dhe raporti të dërgohet deri në 31 janar në Komisionin Europian” ka theksuar Bregu.
Nga ana e tij ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka theksuar se prania e tij në këtë tryezë vërteton rëndësinë që kanë këto konsultime me shoqërinë civile dhe rëndësinë që i jepet planit të veprimit në mënyrë që të ndërmerren hapa konkrete.
“Ne besojmë që roli i fortë që luan shoqëria civile është një parakusht për procesin e integrimti në BE dhe kjo sepse është roli i saj është kyç për promovimin e disa vlerave që janë demokracia dhe shteti i së drejtës” ka theksuar Sequi.
Ai ka theksuar gjithashtu se shoqëria civile mund të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin e shoqërisë në mënyrë që të ketë një sundim sa më të mirë të ligjit. “Shoqëria civile mund të luajë rol kyç në tranformimi drejt një ekonomie që funskionon, një ekonomie më të mirë e cila synon begatinë në të ardhemn, i një shoqërie më demokratike ku sundimi i ligjit luan një rol kritik” ka shtuar më tej Sequi.
Ambasadori Sequi bëri me dije gjithashtu se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian Stefano Sanino. “Kolegu im Stefano Sanino po planifikon të kthehet së shpejti në Shqipëri i cili do të tregojë të njëjtat elementë që unë jam përpjekur të ndajë me ju sot” ka përfunduar Sequi.