E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: S’kërkojmë asgjë të pamerituar, vlerësimi në bazë meritash

05-09-2012 / Gazeta 55

Statusi kandidat, Bregu takon raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nicolaos Chountis

Ministrja Bregu priti sot Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin grek Nicolaos Chountis. Ministrja Bregu, e sapo-kthyer nga një vizitë dy ditore në Bruksel, e informoi Raporterin për diskutimet me përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Duke iu referuar vlerësimit të Komisionit Evropian për shkallën e përmbushjes së detyrimeve për anëtarësim, ministrja tha se Shqipëria nuk kërkon asgjë të pamerituar, sepse vlerësimi në bazë meritash është të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Ajo tha se shqiptarët kanë nevojë për një qëndrim realist nga të gjithë, një vlerësim të drejtë larg standardeve të dyfishta.
Sipas ministres, Shqipëria ka përmbushur detyrimet kryesore të caktuara nga Komisioni për marrjen e statusit dhe për më tepër klima politike në vend sot, është si në çdo vend tjetër, ku opozita me mazhorancën nuk kanë dakordësi për çdo çështje, por kjo nuk do të thotë që klima politike mund të konsiderohet problematike për partnerët evropianë. Shqipëria, theksoi ajo, nuk ka probleme bilaterale, etnike, fetare apo makroekonomike, por është një faktor stabiliteti dhe për më tepër me një popullsi me frymë pro evropiane.
Nga ana e tij, raporteri Chountis theksoi mbështetjen e tij personale brenda Parlamentit Europian për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. Ai shpjegoi se demokracitë kanë brenda tyre përplasje politike të cilat duhen parë me një sy realist dhe se nuk mund të gjykohet vendi nga mosmarrëveshjet politike që ndodhin kudo. Ai vlerësoi reformat e arritura dhe garantoi se do të përcjellë në Parlament dhe kudo mbështetjen e tij për marrjen e statusit nga Shqipëria.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›