Breivik: Në Liberi e njoha mentorin serb

“Kam qenë në Liberi, ku jam takuar me një ekstremist militant. Ai është serb. Nuk dëshiroj të publikoi identitetin e tij, Nuk dëshiroj që të arrestohen edhe persona tjera”, ka deklaruar Breivik.
Prokurori me këtë rast theksoi se supozohet se bëhet fjalë për një kriminel lufte, por Breivik u përgjigj se “ky ekstremist nuk ka dosje”.
Mediet norvegjeze në fillim të këtij viti kanë spekuluar se Breivik është takuar me ish-komandantin e njësisë famëkeqe serbe “Beretat e Kuqe”, Milorad Ulemek Leginë, por avokati i Legisë e ka mohuar këtë.
“Ata mendojnë se ky njeri nuk ekziston. Prandaj le ta tejkalojmë këtë temë dhe të vijmë deri në përfundim. Policia nuk beson se jam takuar me ndokë nga Serbia. E di se dyshoni, prandaj le të mos humbim kohë”, deklaroi Breivik, i cili për dallim nga dy ditët e para të procesit, sipas raportuesve në vendin e ngjarjes, është më i tendosur dhe shumë më i gatshëm për konfrontim me prokurorët.
Breivik refuzoi të përgjigjet në shumë pyetje për udhëtimet e tij, ndërsa në disa pyetje dha përgjigje të paqarta.
Megjithatë, prokurori theksoi se vula në pasaportën e Breivikut konfirmon se ai ka qëndruar për vizitë në Liberi.
Breivik më tutje theksoi se ka shkuar në Londër, për të marrë pjesë në takimet e ekstremistëve të djathtë dhe se i është shmangur kontakteve të këtilla në Norvegji, për shkak të frikës nga policia.
“Jam takuar me profesionistë të mrekullueshëm politik dhe ushtarak. Jam takuar me tre persona në Londër, mentor i të cilëve ka qenë Richardi, e më pas jam takuar edhe me një serb në Liberi”, tha Breivik.
Breivik në ditën e parë të procesit gjyqësor kundër tij pranoi se ka vrarë 77 persona vitin e kaluar, por tha se nuk e pranon fajin, ngase sipas tij, atë këtë vepër e ka bërë në “vetëmbrojtje”, duke e mbrojtur Norvegjinë nga myslimanët dhe shtoi se nuk njeh gjykatat norvegjeze.