E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Topi-Meidani-Moisiu: Të ulen tensionet, dëmtoni integrimin

TIRANE- Presidenti Bamir Topi ka pritur sot në një takim të veçantë pune, dy ish-krerët e mëparshëm të shtetit shqiptar, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidanin. Zyra e shtypit të presidencës zbardh detaje të këtij takimi, në qendër të të cilit ishte situata aktuale politike.

Presidenti Topi së bashku me dy ish krerët e shtetit ndanë shqetësimin se situata politike është e rënduar. Sipas tyre kjo situatë “jo vetëm që dëmton demokracinë në vend dhe institucionet e saj, por vonon ecurinë e reformave të saj gjithëpërfshirëse dhe plotësimin e dymbëdhjetë kërkesave të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat”, thuhet në njoftim.

Në takim u theksua domosdoshmëria e uljes së tensioneve politike dhe rikthimi në normalitet të jetës institucionale, sidomos asaj parlamentare. Figurat politike i kërkuar partive politike të gjejnë vullnetin e duhur për përmbushjen e reformave, pasi ndryshe vihet në rrezik integrimi.

“Palët politike të gjejnë vullnetin e duhur për kryerjen e reformave të domosdoshme në drejtësi, reformën zgjedhore, miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe consensus”,u theksua gjatë takimit.

Nga ana e tij Presidenti Topi vlerësoi dy ish-presidentët për angazhimet e tyre publike, “sepse Shqipëria ka nevojë për zëra të fuqishëm qytetarë, për zëra dhe angazhime të pjesës civile e liberale të shoqërisë, që tejkalojnë thirrjet militante të partive politike”, citohet të ketë thënë Topi.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›