E Diel, 1 Nëntor 2026

“Brenda 2-3 javëve të para Parlamenti do kalojë ligjin”

07/08/2009  Kryeministri Berisha premton miratimin e projektligjit për letrat me vlerë

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Kamza se të gjitha dosjet e legalizimeve të ndërtesave pa leje do të miratohen nga qeveria që ai drejton brenda 2 muajve të ardhshëm. Kreu i qeverisë ka theksuar se projekti madhor i legalizimit po zhvillohet çdo ditë që kalon dhe se trupa ministrore do të përfundojë të gjitha procedurat e nisura e të premtuara ndaj komunitetit të interesuar. Berisha ka deklaruar se deri tani në Këshillin e Ministrave kanë kaluar dhe miratuar rreth 70 për qind e dosjeve të paraqitura dhe se shumë shpejt procesi do të marrë fund. “Një projekt tjetër madhor zhvillohet dita-ditës në zonat tuaja, dhe ky është legalizimi i banesave. Kam kënaqësinë e madhe se 70 për qind e të gjitha dosjeve janë miratuar në qeveri. Ju siguroj se brenda 2 muajve që vijnë, 100 për qind, çdo dosje do të jetë e miratuar në qeveri”, - deklaroi shefi i ekzekutivit. Duke vlerësuar procesin e legalizimeve si tepër të rëndësishëm ai deklaroi se për t’u ardhur në ndihmë personave që do t’u legalizohen ndërtesat e ndërtuara pa leje në muajin shtator do të miratohet edhe drafti ligjor, i cili përfshin letrat me vlerë në pagesën për këto ndërtesa. “Garantoj se Parlamenti 2-3 javët e para të punës së tij do të miratojë ligjin për përdorimin e letrave me vlerë, që ju të paguani sipas vendimeve banesat tuaja në përqindjen e përcaktuar dhe premtuar nga qeveria”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Premtimi i Kryeministrit Berisha vjen pasi në mbledhjen e qeverisë, zhvilluar më datën 8 korrik të këtij viti, u miratua projektligji që riaktivizon letrat me vlerë. Sipas atij projektligji, 80 për qind e vlerës së legalizimeve të ndërtimeve pa leje do të bëhet përmes letrave me vlerë. Në këtë draft ligjor thuhet se mënyra e pagesës për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë ose me bono privatizimi (letrat me vlerë). Sipas projektligjit, bonot e privatizimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit që janë në proces legalizimi.

Përmes raiktivizimit të letrave me vlerë, që do të përdoren në procesin e legalizimeve, hapet një nga tregjet më të fuqishëm të vendit, i cili bazohet pikërisht në legalizimin e rreth 500 mijë objekteve. Për sa u përket qytetarëve që e kanë paguar vlerën njëqind për qind, pritet që qeveria të rimbursojë 80 për qind të vlerës, të cilën ata do ta paguajnë me letra me vlerë. Nga ky proces do të përfitojnë edhe qytetarët që kanë paguar 100% të vlerës së objektit të legalizuar.

Kompensimi pronarëve

Të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në Buxhetin e Shtetit për llogari të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar. Ndërkohë nga ana e saj AKKP-ja ua kalon paratë pronarëve të tokave ku janë ngritur ndërtimet pa leje. Vetëm pas marrjes së kompensimit financiar nga ana e pronarëve ata që do të quhen si pronarë të rinj do të kenë mundësi të kryejnë veprime të tjera me tokën. Në dispozitat kalimtare të draftit ligjor të miratuar pak kohë më parë nga qeveria thuhet se personat që i kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në projektligj.

Sa do të paguhet me letra me vlerë?

Projektligji i miratuar nga qeveria thotë se 80 për qind e vlerës së legalizimeve të ndërtimeve pa leje do të bëhet përmes letrave me vlerë. Në këtë draft ligjor thuhet se mënyra e pagesës për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë ose me bono privatizimi (letrat me vlerë). Sipas projektligjit, bonot e privatizimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit që janë në proces legalizimi. Ndërkohë, sipas projektligjit taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë bëhen vetëm në lekë.

Sa para kalojnë për urbanizimin?

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është një ndër më të rëndësishmit në vitet e pluralizmit shqiptar. Por përveç legalizimit të këtyre ndërtimeve një proces po kaq i rëndësishëm është edhe urbanizimi i këtyre zonave të reja të banuara. Kështu, 20 për qind e shumës së paguar për legalizimin e banesave pa leje do të kalojë në buxhetin që do të përdoret për procesin e urbanizimit. Kështu, pas legalizimeve dhe regjistrimit në Zyrën e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme i gjithë informacioni për ndërtimin sipërfaqen dhe detaje të tjera, u kalohen njësive vendore për të nisur me urbanizimin e këtyre zonave informale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›