E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i peshkimit, rrezikohet fondi 14 milionë euro

07/08/2009  Nuk është miratuar ende vendimi në KRRT-në e Durrësit. Asnjë nxitje nga pushtetarët

DURRES- Prej më shumë se një viti vazhdojnë debatet lidhur me ndërtimin ose jo të flotës se re të peshkimit në portin e Durrësit. Ndërsa është menduar se gjithçka është futur në rrugën e zgjidhjes, gjërat kanë ndryshuar apo saktësisht kanë mbetur në vend. Më shumë se 1 milion dollarë nga fondi i përgjithshëm për flotën e re të peshkimit është shpenzuar për të bërë studimin e fizibilitetit. Në kohën që ky studim ka përfunduar, është gjykuar se do të niste edhe investimi, që kap vlerën e përgjithshme 14 milionë euro.

Porti i peshkimit

Porti është projektuar në formë të tillë që të shërbejë jo vetëm si mjedis pune, por edhe pushimi, argëtimi e tregu, nga ku qytetarët mund të blinin në kalatë peshkun në arkat apo në rrjetat e peshkatarëve. Çështja ka ngecur te vendimi i KRRT-së së Bashkisë së Durrësit, vendim që duhet të konfirmohet në KRRTRSH. Ky komision duhet të legalizojë lejen për shesh ndërtimi, pa të cilën asnjë kompani private nuk do të mund të nisë zbatimin e projektit, pavarësisht marrëveshjeve apo kompromiseve. Sipas të interesuarve për ndërtimin e flotës së re, gjithçka ka mbetur në vullnetin e krerëve të bashkisë, pasi vetëm ata përfundimisht do të nënshkruajnë ndërtimin e kompleksit të ri modern të gjuetisë. Burime nga bashkia thonë se fillimisht do të ngihet një grup me specialistë të urbanistikës, arkitekturës, mjedisit e të tjerë për të parë impaktin e flotës së re. Një nismë e tillë duhej të merrej me kohë, pasi kanë kaluar më shumë se 5 vjet nga koha kur Banka Islamike ka afruar paratë për portin e ri të peshkimit në Durrës, porti më i madh që mendohet të ndërtohet në vendin tonë. Brenda bashkisë ka zëra që kërkojnë ta anashkalojnë zbatimin e një projekti të tillë, dhe kjo do të pasojë jo vetëm me djegien e fondit prej 14 milionë euro, por edhe në shtyrjen në kohë të zbatimit të një projekti të tillë. Banka Islamike ka afruar fondin e duhur për të mbyllur edhe këtë investim të rëndësishëm në Durrës, investim që kap shifrën 14 milionë euro. Ky port me një infrastrukturë moderne, si dhe portet e tilla në vendet të zhvilluara, është debatuar për t’u ndërtuar në disa pika të gv jirit të Durrësit.

Alternativat për ndërtimin e portit

Fillimisht është thënë se porti ekzistues do t’i nënshtrohej një rehabilitimi për të përmirësuar infrastrukturën si dhe për të vendosur një teknologji të re të magazinimit e ambalazhimit së bashku me konservimin e prodhimeve të detit. Por ngushtimi i hapësirës për këtë sektor, ngase nga njëra anë është vendosur kompania “Kurum Shiping”, nga ana tjetër terminali i trageteve, e bëri të pavlefshëm këtë ide. Pas saj dhe që tërhoqi interesin e shkaktoi debate qe ndërtimi i flotës së re në Porto-Romano, ose në perëndim të qytetit, poshtë kodrës. Edhe këto ide e variante janë rrëzuar për disa arsye. Ajo që mbijetoi dhe që është vendosur, së paku nga ministria e linjës, është ndërtimi i portit të peshkimit në anën e jashtme të murit rrethues të portit, pranë Kapitenerisë së Përgjithshme. Drejtoria përkatëse, që mbulon peshkimin në Ministrinë e Bujqësisë, e ka lënë në heshtje nxitjen e këtij investimi, që rrezikon të mos zbatohet. Janë të shumta hamendësimet lidhur me ndërtimin ose jo të këtij porti, gjë që ka shtyrë sektorin e peshkimit të vërë në dijeni kryeministrin e vendit, të cilit do t’i kërkohet ndihmë për zbatimin e projektit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›