E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti krerëve të institucioneve: Përballoni me sukses tranzicionin, mos u stepni nga revanshet e mundshme

nishani
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani mblodhi sot në një takim pune disa nga drejtuesit e institucioneve kryesore në vend, Guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullani, kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, nënkryetarin e KLD-së, Elvis Cefa; Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Kryetarin e KLSH-së, Bujar Leskaj etj. Në cilësinë e Kreut të shtetit, Nishani ftoi krerët e këtyre institucioneve që të përballojnë me sukses dhe profesionalizëm periudhën e tranzicionit politik të pushtetit dhe të mos stepen apo frikësohen nga ndonjë revansh i mundshëm, gjatë fazës së kalimit të pushtetit, nga një maxhorancë në tjetrën. “Askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, i brishtë apo lehtësisht i goditshëm. Një periudhë e tillë tranzitimi është perceptuar në historinë e demokracisë shqiptare si një kohë e mjegullt nga elementët e krimit, veçanërisht ata ekonomikë e korruptivë. Ndaj janë për t’u përshëndetur institucione si KLSH, që publikuan masa institucionale, duke krijuar një klimë sigurie se shteti funksionon dhe një mekanizëm frenues e parandalues për shkelësit e ligjit dhe keqbërësit. Do të donim që askush të mos e shkelte ligjin, të mos ndodhte asnjë krim, të kishim zero korrupsion, të gjithë të deklaronim me saktësi të ardhurat etj, por kjo nuk është realiste. Le të jemi pra realistë e të punojmë me sa më tepër devocion për një shtet real, të bazuar te ligjet, e në përputhje me nevoja reale e rrethana konkrete, e jo bazuar tek meskiniteti e interesi. Vetëm kështu mund ta përsosim shtetin që të kemi gjithmonë drejtësi, gjithmonë e më pak krim, çdo ditë e më pak korrupsion, gjithmonë e më pak shkelës të ligjit”, theksoi  Nishani. Presidenti shqiptar në fjalën e tij nënvizoi se qeveria dhe kryeministri i ri, pavarësisht se mund të kenë pikëpamjet e tyre, baza e këtyre institucioneve, sipas tij është e përcaktuar ligjërisht dhe e pavarur institucionalisht. “Zgjedhjet prodhuan një maxhorancë të re politike, së cilës i uroj suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj. Prioritetet e kësaj qeverie mund të jenë të ndryshme nga ato të maxhorancës së mëparshme, kësisoj dhe funksionet qeverisëse duhet të jenë të matura. Në shërbim të këtij mandati të kësaj maxhorance të re, vendimarrjet e institucioneve të tilla si: Prokuroria, Gjykata e Larta, Banka e Shqipërisë, KLSH-ja, ILDKP-ja etj, duhet të mos përfshihen nga perceptimi i inercisë së tranferimit të pushtetit”, shtoi Presidenti. “Tashmë,” vijoi ai, “institucionet kushtetuese të vendit janë mekanizma të kolauduar dhe që funksionojnë për gjithë vendin, pa marrë parasysh asnjë përkatësi, por vetëm në përputhje me ligjin”.  Kreu i shtetit shqiptar po ashtu bëri thirrje edhe për vazhdimin e reformave nga këto institucione, pavarësisht ndërrimit të maxhorancës. “Reformat strukturore që janë nisur dhe që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenduara me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë filluar të japin frute në transparencën e sistemit dhe sidomos në rritjen e konkurencës nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten e të mbeten në pritje. Ato janë të destinuara të arrijnë objektivat e veta. Kjo do t’i sillte mundësi më të mëdha qeverisë së ardhshme, por dhe do të krijonte një mundësi bashkërendimi të objektivave tona të përbashkëta”, nënvizoi Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›