E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda 24 orëve hynë 10 mijë emigrantë

17/04/2009  Kapshticë, jo probleme

KAPSHTICË- Në 24 orët e fundit kanë mbërritur 10 mijë emigrantë në Kapshticë. Këtë lajm e kanë bërë të ditur drejtues të policisë kufitare në pikën e kalimit të kufirit në Kapshticë. Piku më i madh i tyre ishte dje në orët e para pas mesnate deri në mëngjes dhe në orët e vona të pasdites. Shumica e emigrantëve vijnë me mjete të vogla familjare, por nuk janë të paktë edhe ata që vijnë me linjat e autobusëve. Emigrantët deklarojnë se pushimet për festimin e Pashkëve duan t’i kalojnë pranë familjeve dhe të afërmeve të tyre. Mes emigrantëve ka edhe nga ata që ende nuk janë pajisur me karta të rregullta dhe që qarkullojnë me vërtetimin e policisë se i kanë dorëzuar dokumentet për t’u pajisur me dokumente legale. Dje edhe pse fluksi i emigrantëve ishte shumë i madh nuk u krijuan radhë pritjeje. Kjo për faktin se në doganën greke punohej me katër sportele, ndërsa në doganën shqiptare me 6 sportele. Vetë emigrantët kanë pohuar se ritmet e punës ishin të mira dhe ata në secilën nga doganat qëndronin për kryerjen e procedurave ligjore 10 - 12 minuta. Nuk kishte vonesa as gjatë kontrollit të autoveturave. Mësohet se gjatë javës së fundit kanë hyrë nga Greqia në vendin tonë 24.000 emigrantë dhe mbi 5500 automjete të tyre. Ditët që do të vijnë do të kenë edhe më shumë fluks emigrantësh. Parashikohet që deri ditën e diel të kenë hyrë nëpërmjet kësaj pike doganore rreth 70.000 persona, prej të cilëve rreth 90% emigrantë që jetojnë e punojnë ne Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›